Vendosni fjalën kyçe....

Tifozëve të Liverpool-it s’ua ndjen për kurorëzimin e Charles, fishkëllejnë himnin (Video)


Tifozët e Liverpool-it fishkëllyen me zë të lartë himnin kombëtar përpara ndeshjes së Premier League ndaj Brentford të shtunën, duke e përmbytur ‘God Save the King’ me thirrjet ‘Liverpool’.

Ndërsa Britania e Madhe festoi kurorëzimin e Mbretit Charles III, tifozët e Liverpool kanë qenë të njohur për mosrespektimin e tyre për monarkinë.

Teksa të dyja skuadrat u rreshtuan në fushën e ‘Anfield  Road’, notat e para të himnit u heshtën nën një mori fishkëllimash. Së shpejti stadiumi shpërtheu me thirrjet e ‘Liverpool’, duke bërë që himni të mos dëgjohej.

Tifozët e Liverpool-it e kanë zakon prej kohësh të bërtasin gjatë himnit, të cilin ekspertët ia kanë veshur prirjeve politike të majta të qytetit, popullatës së madhe irlandeze dhe neverisë së përgjithshme të banorëve të saj për këtë institucion.

 

Në një incident që u bë lajm kombëtar, mbështetësit e Liverpool-it brohoritën himnin në stadiumin ‘Wembley’ të Londrës kur Princi William mori pjesë në finalen e FA Cup vitin e kaluar.

Në një deklaratë para ndeshjes, Liverpool FC tha se së bashku me çdo klub tjetër që luan të shtunën, i ishte kërkuar nga Premier League që të luante himnin përpara fillimit të ndeshjes për të shënuar ‘rastin historik’ të kurorëzimit të Mbretit Charles III.

Ndërsa mijëra dashamirës dhe dhjetëra personalitete të huaja u mblodhën në Londër për ceremoninë e kurorëzimit të shtunën, qindra protestues antimonarkistë mbajtën një tubim në sheshin Trafalgar. Të paktën shtatë nga këta protestues u arrestuan me dyshimin se po komplotonin një ‘trazirë publike’ dhe qindra pankarta u sekuestruan nga policia.