Vendosni fjalën kyçe....

Drejtësia në sytë e një piktori/ Ekspozita për 110-vjetorin e krijimit të Gjykatës së Lartë


Një mori aktivitetesh po organizohen në kuadër të 110 vjetorit të Gjykatës së Lartë të Republikës s-ë Shqipërisë. Një prej tyre është ekspozita me piktura dhe dokumente e çelur në oborrin e Gjykatës së Lartë.

“Ekspozita “Drejtësia në sytë e një piktori”, përgatitur me rastin e 110 vjetorit të Gjykatës së Lartë, do të qëndrojë e hapur për publikun, në ambientet e jashtme të gjykatës në datat 5 dhe 6 maj 2023. Përveç pikturave, ekspozita ofron për publikun edhe një sërë dokumentesh historike të siguruara në bashkëpunim me Drejtorinë e Përgjithshme të Arkivave, në të cilat pasqyrohen foto dhe akte juridike që datojnë në periudha të ndryshme gjatë historisë 110 vjeçare të Gjykatës së Lartë. Ky është viti i parë që organizohet një ekspozitë e tillë, që shpresojmë ta kthejmë në traditë.” – shprehet Ida Vodica, Drejtore e Marrëdhënieve me Publikun.

“Mua më pëlqeu më shumë piktura “Engjëlli dhe djalli”, sepse tregon që e mira dhe e keqja janë akoma të barabarta”, thotë një nxënës shkolle.

“Është një iniciativë shumë e bukur kjo ekspozitë, në një institucion që ka qenë disi hermetik për t’u aksesuar nga fëmijët dhe ne si qytetarë të thjeshtë. Është një mënyrë shumë e mirë për t’i mësuar fëmijës sim konceptet e para të drejtësisë dhe punës së këtyre institucioneve.”

“Unë jam shqiptare e Malit të Zi. Vij nga Podgorica. Kjo ekspozitë pasqyron aktualitetin jo vetëm tej ju, por edhe tek ne. Pa drejtësi ka anarki.”

“Ekspozita është punuar nga nxënësit e Liceut Artistik “Jordan Misja”, gjimnazi “Sami Frashëri” dhe shkollat 9-vjeçare “Jeronim de Rada”, “Mihal Grameno”, “Kosova”, “Osman Myderizi” dhe “Vasil Shanto”. Disa nga pikturat janë pëlqyer shumë si nga trupa gjyqësore ashtu edhe nga vizitorët, si e moshuara që mban dengun e barit mbi supe, peshorja mes zemrës dhe trurit, etj…. Ekspozita do të qëndrojë e hapur deri të shtunën në orën 19.00.”-thotë Sonila Çeliku, Specialiste pranë Gjykatës së Lartë.

“Një pjesë e rëndësishme është ekspozimi i dokumentave historike, ku spikat “Kanuni i Zhurisë”, i miratuar në 10 maj të 1913, ku ngrihet për herë të parë Gjykata e Diktimit, siç quhej para 110 vjetëve Gjykata e Lartë.” – Olti Musaj, Nëpunës, Gjykata e Lartë.

VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e TCH