Vendosni fjalën kyçe....

Artan Hoxha pyet i çuditur: Aman ore ku janë zhdukur këta policët bashkiakë


Gazetari Artan Hoxha pyet i çuditur se ku kanë përfunduar policët bashkiakë.

Ai ironizon zhdukjen dhe mos vendosjen e gjobave nga policia bashkiake rreth dy muaj para zgjedhjeve të 14 majit.

Aman ore ku janë zhdukur këta të policisë bashkiake se na dogji malli?!

Po si ka mundësi, të zhduken me magji të kudondodhurit e bashkisë, që të prisnin poshtë derës së pallatit pa zbritur mirë nga makina dhe ta plasnin gjobën surratit.

Ore po nuk u shpëtonte asnjë plakë e fshatar nga nahijet e Tiranës, që strukeshin në cepat e lagjeve për të shitur një dorë majdanoz apo një tufë qepe.

More po mbinin nga dheu si xhindi i llambës së Aladinit, të shfaqeshin pas gëmushës si shejtani vete.

Aman ore se jemi bërë merak, kanë dy muaj që kanë avulluar plot 500 policë bashkiakë dhe ka mbetur Tirana si jetime.

Kujt i shkonte mendja se do na merrte malli kaq shpejt për ta.

Për ato patrullat dyshe, me kostumet e dala boje, me atë jelekun e verdhë si squfuri dhe sidomos me ato blloqet e bukur të gjobave ngjyrë mavi, ku t’i rendisnin ato zerot e gjobës mu si rruaza perlash njëra pas tjetrës.

E di mor qerratenj që mezi po u mban durimi, që u hanë duart për të vendosur ato gjobat mavi mbi fshirëset e xhamave.

Po bëni si të bëni!

Ja erdhi data 15, pastaj mjerë ky milet çdo heq nga ju.

Do t’u shajnë dhe mallkojnë për 4 vite rresht, deri sa të zhdukeni serish dy muaj para fushatës elektorale të radhës”-shkruan Hoxha.