Vendosni fjalën kyçe....

Parlamenti bllokon rritjen e pagave, nuk përfshinte deputetët


Parlamenti ka bllokuar ligjin e ri për rritjen e pagave për shkak se deputetët kërkojnë që t’u rritet rroga edhe atyre. Drafti i propozuar nga qeveria ishte parashikuar të votohej këtë të martë në Komisionin përgjegjës, atë të Ekonomisë dhe Financave. Por gjatë diskutimit të projektligjit, deputetët e të dy krahëve kanë shprehur pakënaqësi të shumta për projektligjin, veçanërisht për faktin se ai nuk parashikon rritjen e rrogave për ligjvënësit duke vendosur që ta pezullojnë miratimin e tij për pas zgjedhjeve.

Oligarkia.al ka mësuar se i pari që e ka ngritur çështjen e mos rritjes së rrogave për deputetët ka qenë vet kryetari i Komisionit, Eduart Shalsi. Zoti Shalsi është kujdesur që para se të ngrinte këtë çështje të fikte kamerat që transmetojnë live punimet e Komisionit dhe të urdhëronte ndalimin e regjistrimit të fjalës së tij.

Më pas deputetët e të dy krahëve janë përfshirë në diskutime informale, të paregjistruara ku në shumicë kanë shprehur mbështetjen për të kërkuar rritje pagash nga qeveria dhe kanë vendosur që diskutimi i ligjit të shtyhet pas zgjedhjeve vendore.

Rritja e pagave

Në draftin e propozuar nga qeveria parashikohet që rroga e Presidentit të Republikës nga 257 mijë lekë në muaj që është aktualisht të rritet në 425 mijë lekë në muaj.

Por duke qenë se të gjitha pagat e tjera të hierarkisë së lartë shtetërore janë të lidhura me pagën e Presidentit, në projektligj është propozuar ulja e koefiçentëve për rrogat e deputetëve, ministrave dhe madje kryeministrit, që ato të mos rriten por të mbeten të pandryshuara.

Më konkretisht, sot rroga e një deputeti është sa 61 për qind e pagës së Presidentit. Nëse qeveria do të kishte ruajtur të njëjtin koeficent për deputetët, për shkak të rritjes së rrogës së Presidentit edhe pagat e tyre do të rriteshin në të njëjtin raport. Por në propjektligj Ministra e Financave ka propozuar që koefiçenti për pagën e deputetëve të ulet në 36.9 për qind e rrogës së Presidentit.

Si rezultat, edhe pse rroga e Presidentit rritet me 65 për qind, paga e deputetit nuk ndryshon për shkak të uljes së koeficientit. E njëjta skemë është ndjekur edhe me pagën e Kryeministrit, kryetarit të Kuvendit, ministrave dhe disa funksionarëve të tjerë të lartë.

Por ligji tashmë është bllokuar nga deputetët, një situatë që parashikon zhvillime interesante gjatë javëve të ardhshme. A do t’i bashkojnë votat deputetët e maxhorancës me ata të opozitës për të rritur rrogat e tyre?


VINI RE: Artikulli është pronë intelektuale Oligarkia.al