Vendosni fjalën kyçe....

‘Beteja’ për Tiranën, sulmet, akuzat, përplasjet. Çfarë ka ndodhur deri tani në kampet respektive


Teksa fushata për zgjedhjet e 14 majit është futur në fazën e nxehtë të saj, e gjithë vëmendja mediatike është përqendruar te Tirana, që është ‘guri i provës’ për Partinë Socialiste nga njëra dhe dhe kundërshtarët që përfaqësohen nga koalicioni ‘Bashkë Fitojmë’ që ka si kandidat Belind Këlliçin, PD-ja zyrtare me Roland Bejkon dhe Lëvizja Bashkë me Arlind Qorin.

Që para nisjes zyrtare, u dhanë shkëndijat e para që premtonin  se beteja për Tiranën do jetë mjaft e ashpër. Në këtë përplasje janë përshirë sulmet e kundërsulmet politike të kundërshtarëve, mediat, paditë e rrjetet sociale.

Këlliçi i shmanget pyetjes për oligarkët

Në nëntor 2022, teksa emri i tij nuk ishte konfirmuar ende zyrtarisht si kandidat i opozitës për Tiranën, Belind Këlliçi u zu ngushtë në emisionin Të Paekspozuarit të gazetarit Ylli Rakipi në MCN. I pyetur nga ky i fundit për oligarkët që mbajnë në pushtet Ramën e Veliajn, Këlliëi iu shmang përgjigjes.

“Je shumë cinik në pyetje. Je shumë jashtë realitetit. Të sfidoj të më gjesh mua lidhje me një oligark. Unë nuk flas me gjuhën e vjetër dhe nuk vë gjoba. Nuk jam kundër biznesit të ndershëm. Unë nuk ju vë gjoba oligarkëve. Kjo është praktikë gjobash.” – deklaronte asokohe Këlliçi.

Veliaj denoncon faqet Jeta osh Qef e Lolita si gjobëvënës

Ende pa nisur mirë fushata, në fund të marsit 2023, kryebashkiaku Veliaj denoncoi dy nga faqet më të mëdha të rrjeteve sociale, Jeta Osh Qef e Lolita, duke i akuzuar se u kishin vënë gjoba kompanive që kanë linjat e autobusëve urbanë.

Ai përmendi emrat, sipas tij, të dy drejtuesve të dy faqeve në fjalë, madje në njërën prej tyre ai ‘thumboi’ atë të Jeta Osh Qef, duke përfshirë emrat e hoxhës së njohur Ibrahim Dalliu, nipi i të cilit është Erland Dalliu dhe muajin e Ramazanit.

“Ju që jeni drejtues të kompanive e dini fare mirë, se keni ardhur tek unë dhe më keni thënë: A ta paguaj atë Erland Dalliun e “Jeta Osh’ Qef”, vetëm që të më lërë rehat? Dhe përgjigja që keni dëgjuar nga unë është: ‘jo’. Për sa kohë që unë nuk i paguaj gjobat e Erland Dalliut dhe të ‘Jeta osh Qef’, nuk do t’i paguani as ju. Më erdhi dje dikush tjetër për atë aksidentin e fundit, më tha: ‘Anisa e Vithkuqit e ‘Lolitës’ më ka vënë gjobë’. I thashë: “Jo, jo, Anisa e Vithkuqit le t’i rrisë dy fëmijët e saj siç i rrisin të gjithë, jo me gjoba’.” – denonconte në mars Veliaj.

Përplasja Syri Tv-Veliaj, padia e kryebashkiakut ndaj gazetarit 

Dy ditë pas përplasjes Veliaj-Jeta osh Qef/Lolita, në betejën për Tiranën u rifut çështja e inceneratorëve. Përveç denoncimev e kallëzimeve në SPAK për inceneratorin e Tiranës nga deputetja e Partisë së Lirisë Kryemadhi, ëështja pati edhe një përplasje jashtë dyerve të gjykatës mes Syri Tv e gazetarit Bledian Koka me kryebashkiakun Veliaj.

Një intervistë e 31 marsit e Kokës me shtetasin italian Gabriele Tarroni Longinotti, i cili pretendonte se Veliaj ishte i përfshirë në një skemë blerjeje material inceneratorësh të dorës së dytë në Rumani.

Gjatë intervistës, Longinotti nuk ofroi asnjë provë për të mbështetur pretendimet e tij duke fshehur faktin se është dënuar në Tiranë për një mashtrim me vlerë 700 mijë euro. Pas kësaj, kryebashkiaku i Tiranës paditi gazetarin si dhe Syri Tv, duke tërhqequr më pas padinë ndaj Syri Tv  e duke lënë atë ndaj Kokës.

Diploma e shkollës së mesme e Këlliçit

Pas një periudhe relativisht të qetë të fushatës, një investigim i Shqiptarja.com denonconte Belind Këlliçin se nuk kishte diplomë të shkollës së mesme, duke mashtruar me deklarimet e bëra në Shqipëri e SHBA. Në investigim thuhet se Këlliçi ka kryer vetëm 4 nga 5 vite studime në shkollën ‘Harry Fultz’ në Tiranë duke mos e përmbyllur atë.

Këlliçi nga ana e tij u përgjigj duke thënë se kishte marrë dëftesë pjekurie, gjë që u hodh poshtë nga drejtoresha e institucionit ‘Harry Fultz’ sipas së cilës dëftesa e pjekurisë merret vetëm në rastet kur dikush përmbyll ciklin e plotë. kandidati i koalicionit ‘Bashkë Fitojmë’ nga ana e tij publikoi sot një dokument, duke pretenduar se ishte ‘në rregull’ për sa i përket ëështjes në fjalë.

Asfalti elektoral

Fushatës për zgjedhjet e 14 majit nuk i ka shpëtuar edhe asfalti elektoral. Në shumë zona të Tiranës mund të shihen e dëgjohen makineritë e rënda që shtrojnë rrugë e rrugica, një shfaqje që ndodh rëndom para ëdo fushate elektorale për zgjedhje vendore a të përgjithshme. Shtrimi i rrugëve nga bashkia pak javë para zgjedhjeve është denoncuar nga opozita në deklaratë zyrtare apo postime në rrjetet sociale.

Premtimi i Belind Këlliçit për transport publik falas në Tiranë ka marrë një zë të rëndësishëm në betejën për Tiranën. Në studio të shumta televizive ka pasur debate për këtë premtim me Këlliçin e fushatën e tij që e kanë mbrojtur me forcë këtë premtim duke treguar edhe mënyrën si do bëhet dhe me Veliajn që e ka denoncuar Këlliçin e opozitën se po mashtrojnë  qytetarët. Premtimi i kandidatit të koalicionit ‘Bashkë Fitojmë’ ka zënë jo pak vend edhe në rrjetet sociale me meme të shumta për këtë temë.

Stadiumi bosh gjatë fjalës së Berishës

Çelja zyrtare e fushatës së koalicionit Bashkë Fitojmë u bë në stadiumin ‘Air Albania’. Fillimisht i mbushur, në kohën e fjalës përmbyllëse të Sali Berishës, stadium ishte zbrazur thuajse plotësisht. Një video e Veliajt në Facebook u pasur nga reagime të shumta të rrjetet sociale të cilat aludonin për një braktisje të Berishës nga demokratët e qytetarët.

Denoncime pati për tubimin në stadium edhe  nga kryebashkiaku Veliaj e kreu i komanduar i PD-së Alibeaj të cilët në disa dalje ngritën pyetjen se kush i mbulonte shpenzimet e mëdha të opozitës për takimin në ‘Air Albania’.

Iftaret ‘politike’

Çelja e fushatës për zgjedhjet e 14 majit përkoi me muajin e shenjtë të Ramazanit për besimtarët myslimanë. Në një pjesë të madhe të fundit të marsit e prillit, kandidatët kryesorë për Tiranën, Veliaj e Këlliçi, kryeministri Rama, deputetë nga dy kampet e ministra të qeverisë u shfaqën në iftare me besimtarët myslimanë, gjë që çoi në reagime të shumta pro e kundër në rrjetet sociale. Pati jo pak ironi e denoncime sidomos ndaj Veliajt se po i përdorte iftaret me besimtarët për vota.

‘Beteja’ e podcast-eve Rama-Berisha

Pak kohë më parë, kryeministri Rama, nisi një seri podcast-esh duke intervistuar personazhe të ndryshme, ndërsa një ditë më pas Berisha e thumboi Ramën se i kishte vjedhur idenë, të cilën ai e kishte pasur prej disa muajsh. Një ditë pas Ramës, Berisha nisi podcast-in e tij, me një rrëfim të fëmijërisë.

Slogani e kënga e fushatës së PS-së

E fundit zhurmë, deri tani, në betejën për Tiranën është kënga dhe slogani i përzgjedhur nga Partia Socialiste për fushatën. Slogani ‘Kurrë më mbrapa, vetëm para’ përmendet ditë për ditë nga Veliaj, Rama, ministra e deputetë socialistë në takimet me qytetarët.

Slogani ka një fotomontazh ku lart është kryeministri Rama ndërsa poshtë dyshja Berisha-Meta. Ndërsa kënga titulloht ‘Ça po meno, hajde festo’.

Kryeministri Rama është parë në disa raste duke kërcyer me qytetarët nën ritmet e saj ndërsa Berisha e quajti mediokër kreun e qeverisë lidhur me të. Po kështu në rrjetet sociale ka pasur reagime të shumta nga kampi opozitar, duke e ironizuar këngën si ’tallava’.

Deri më 14 maj ka thuajse edhe tre javë e pritet të ketë zhvillime të tjera në kampet që  luftojnë për Tiranën, ndërsa pjesë e fushatës mund të jetë edhe ndonjë nga temat e mësipërme.