Vendosni fjalën kyçe....

Shkrimi i Shqiptarja.com: Këlliçi ka bërë deklarim të rremë në institucionet arsimore


Në investigimin që publikuam dje, në të cilin faktohej se kandidati i Sali Berishës dhe Ilir Metës për Bashkinë e Tiranës, Belind Këlliçi, kishte mashtruar universitetin amerikan “Coppin University” në Maryland, SHBA, dhe më pas edhe shtetin shqiptar, duke i kryer studimet e larta, por edhe njësimin e diplomës, pa pasur një diplomë të shkollës së mesme, një tjetër dokument hedh dritë mbi këtë aferë të rëndë.

Kujtojmë se, në një shkresë e cila mban datën 16 janar 2023, Instituti “Harry Fultz” konfirmoi se Këlliçi ka përfunduar vetëm 4 vite studime nga cikli 5 vjeçar i Degës Biznes, duke vërtetuar faktin se ai nuk e ka përfunduar shkollën e mesme (nivelin 4 të kualifikimit) dhe nuk është diplomuar për programin e studimit përkatës. Pra, nuk disponon një diplomë që vërteton përfundimin e shkollës së mesme.

Por, sot Shqiptarja.com po publikon proces verbalin e Komisionit të Njohjes së Diplomave të Ministrisë së Arsimit, që mban datën 18 nëntor 2010, ku 5 anëtarët e komisionit kanë bërë njohjen e diplomës për Këlliçin. Në këtë proces verbal gjendet edhe Deklarata e Aplikantit, Belind Këlliçi, i cili ndër të tjera deklaron se “Informacioni që kam dhënë në këtë formular ose në ndonjë material bashkëngjitur është i plotë, korrekt dhe aktual”.

Më poshtë, në pikën B të deklaratës, konkretisht nënpika e) Pragu i pranimit: tipi/niveli i diplomës mbi bazën e së cilës jeni pranuar në këtë program studimi, Belind Këlliçi i është përgjigjur me germa kapitale: “PËRFUNDIM I SHKOLLËS SË MESME”.

Në fund, Këlliçi ka nënshkruar me dorën e tij këtë deklaratë, duke pranuar se informacioni është i vërtetë dhe i saktë.

Por, si në rastin kur u regjistrua në “Coppin University” në vitin 2005, pa pasur një diplomë dhe duke mashtruar shtetin amerikan të Maryland, këtu Këlliçi shkon edhe më larg, duke mashtruar me firmën e tij edhe shtetin shqiptar.

Kjo është një shkelje flagrante dhe e rëndë e ligjit, pasi njësimi i diplomës është bërë në premisa të rreme. Ndërkohë, Ministria e Arsimit, siç tregohet nga shkresa e kthimit të përgjigjes nëse Këlliçi e kishte kryer Maturën Shtetërore të vitit 2006 (të cilën e botuam dje dhe përgjigja ishte negative), ka qenë në dijeni të faktit se ai nuk e kishte përfunduar shkollën e mesme.

Po ashtu, edhe Belind Këlliçi e ka ditur se për të kryer me sukses njësimin e diplomës sipas ligjit shqiptar, duhet detyrimisht të kishte përfunduar shkollën e mesme. Kjo provon qartë që ai ka gënjyer me dijeni të plotë se ka shkelur ligjin dhe etikën.

Por, është ende e paqartë nëse pas këtyre fakteve të reja, njësimi i diplomës së Këlliçit, por edhe vetë shkolla e tij e lartë, të jetë apo jo e vlefshme.

Në gjithë këtë histori ka edhe diçka tjetër, që duhet zbardhur: lidhja e vëllait të tij më regjistrimin e Këlliçit në “Coppin University” (2005). Këlliçi ka deklaruar shpesh se vëllai i tij ka qenë dhe është mbështetësi i tij më i madh në jetë, e çuditërisht në vitin 2005, kur Këlliçi u regjistrua në universitet, ai punonte në zyrën e pranimeve të studentëve të universitetit amerikan. Ka dyshime të forta se ka qenë pikërisht vëllai i tij, i cili nëpërmjet ndërhyrjes personale, e ka ndihmuar të regjistrohet lehtësisht në këtë universitet, pa e pasur diplomën e shkollës së mesme. Këlliçi ka rrëfyer se vëllai i tij është edhe financuesi kryesor i fushatës me sponsorizime prej mijëra eurosh në Facebook.

Duhet theksuar se vëllai i Këlliçit aktualisht është edhe Anëtar Bordi i Institutit “Harry Fultz” dhe një skandal i përmasave të tilla hedh dyshime serioze mbi menaxhimin e institucionit në fjalë.

(Kliko këtu për të lexuar dokumentin e plotë)

VINI RE: Artikulli është pronë intelektuale e Shqiptarja.com