Vendosni fjalën kyçe....

“Plak pervers, turp për audiencën që e duartrokiti” – Deklarata e avokat Ngjelës për përdhunimin sjell reagime të ashpra (Video)


Deklarata e avokat Ngjelës në emisionin ‘Më lër të flas’ në TCH, ku tha se që një akt seksual të quhet përdhunim duhet që femra të rezistojë, pasi ajo shpesh mund të shtiret sikur nuk do, ka sjellë reagime të ashpra në rrjetet sociale.

Ngjela tha se sipas legjislacionit anglez, që një akt të konsiderohet përdhunim, drejtësia mat segmentin e rezistencës së saj për të dënuar personin e akuzuar.

“Tani po flasim për momentin tjetër që është psikik, është dobësi. Nuk e ka burri, e ka vetëm gruaja. Pse nuk i reziston dot gruaja vështrimit të tij, e shumë të tjera. Edhe një herë t’iu them, e kam nga profesioni. Dale se këta e dinë përdhunimin. Përdhunim do të thotë ta shtrëngosh me zor. Unë thëm në gjyq, masën e rezistencës. Ajo duhet të rezistojë. Për shembull në legjislacionin anglez nuk mund ta akuzosh tjetrin për përdhunim në rast se nuk ke rezistuar. Është edhe skercua e vajzës, që bën sikur jo. unë thëm për drejtësinë tani.  Ato që akuzojnë x për përdhunim në bazë të të drejtës penale angleze ata masin sa e ke segmentin e rezistencës. Se vjen një moment i caktuar që femra mbasi ka filluar,është shtrënguar për përdhunim dorëzohet nga kënaqësia. Prandaj duhet të jetë rezistenca e madhe thotë ai, që unë të dënojë, sepse mund të jetë skerco. Ka skerco femra, edhe këtë e mohoni ju, bën sikur s’do, këtu matet shkalla e rezistencës.” – tha Ngjela.

Deklarata e tij ka sjellë reagime të ashpra në rrjetet sociale. Gazetarja Beti Njuma shkruan se Ngjelës i ka ikur mendja, ndërsa analisti Edvin Kulluri i ka kërkuar Ngjelës që t’u kërkojë ndjesë publike grave si dhe ka bërë thirrje që ai të mos dalë më në asnjë emision.

“Ngjela left the chat ose Avokat të ka ik meNia!”, shkruan Njuma ndërsa Kulluri shkruan: “Marrëezia duhet ndaluar! Në këtë vend, në televizone po thuhen çmendurira pafund! Spartak Ngjela ose duhet t’u kerkojë ndjesë publike grave për atë ç’ka thënë për përdhunimin ose duhet të përjashtohet nga studiot televizive përfundimisht! Të besh medemek sofizëm juridik me dhunën seksuale ndaj grave është e turpshme për një njeri publik! Askush në një vend ku sundon ligji nuk mund të justifikojë përdhunimin dhe çdo lloj dhune ilegjitime ndaj personit apo pronës! Këto janë deklarata të denja për shoqëri barbare pa ligj, pa zakon! Turp,” shkruan Kulluri.

Një tjetër reagim ka ardhur nga aktivistja Evi Kokalari, e cila në një shënim në Facebook  thekson se shoqëria shqiptare ka humbur busullën e moralit. Ajo e quajti Ngjelën plak pervers e ndoshta me probleme të shëndetit mendor për deklaratat e bëra ndërsa shprehet e tronditur nga të pranishmit në  emision që e duartrokitën.

“Shqiptarët seriozisht kanë humbur busullën e moralit. Që Spartak Ngjela është një plak pervers dhe ndoshta me probleme të shëndetit mendor, kjo dihet nga publiku i gjerë, por ç’ka ishte më skandaloze nga ato që tha Ngjela, ishte audienca që e duartrokiti, dhe personat në studio, duke futur dhe dy femra që nuk thanë absolutisht asnjë gjë për të protestuar atë që nxorri nga goja ‘avokat’ Ngjela. I gjithë ai episodë tregoi problemet që ne kemi si shoqëri, banalitetet që lejohen në mediat shqiptare, shëmtirësinë e moralit publik. Ku janë ato të shoqatës së gruas, që ishin aq “të indinjuara” kur unë flisja për imoralitetin e gruas deputete, që duhet të jetë shëmbull për gruan shqiptare në përgjithësi, por heshtin kur mediat po normalizojnë përdhunimim fizik dhe seksual të femrës?! Shoqëria Shqiptare është e degjeneruar mëndërisht. Ndoshta janë pasoja të regjimit komunist dhe atij post-komunist, nuk di të them, por kjo heshtje i bën shumë dëm kombit. Dhe AMA duhet të marrë masa dhe ti vër gjobë emisionit, dhe televizionit që me sa kuptoj s’kanë dalë akoma as me një deklaratë për ta dënuar çfarë u tha, dhe as ti kërkojnë falje publikut dhe gruas Shqiptare.

Dhe të imagjinosh që ky televizion drejtohet nga katër gra, të cilat janë nëna, motra dhe vajza vet…shumë trishtim!” – shkruan Kokalari.

Një tjetër reagim ka ardhur nga gazetari Enkel Demi i cili shkruan në Facebook se ‘Ngjela është rëndë’.

“Ky është rëndë…”, shkruan Demi