Vendosni fjalën kyçe....

Banka e Shqipërisë e mbyll vitin 2022 me 154 mln euro humbje


Banka e Shqipërisë e mbylli vitin e kaluar me humbje në vlerën e 17.65 miliardë lekëve ose 154 milionë eurove, me kursin e fundit të vitit 2022.

Sipas pasqyrave të audituara financiare, të dorëzuara në Kuvendin e Shqipërisë, rezultati i Bankës Qendrore u përkeqësua ndjeshëm krahasuar me vitin 2021, kur rezultati financiar kishte qenë pozitiv në vlerën e 560 milionë lekëve.

Faktori me ndikimin kryesor në rezultatin me humbje ishte forcimi i lekut në kursin e këmbimit valutor kundrejt Euros, Dollarit Amerikan dhe Paundit Britanik, që shkaktoi uljen e vlerës së rezervave në valutë të huaj. Rezultati nga lëvizjet në kursin e këmbimit ishte negative në vlerën e 14.47 miliardë lekëve, ndërsa në vitin 2021 kishte qenë pozitiv në vlerën e 625 milionë lekëve.

Një tjetër faktor me ndikim negativ ishte edhe rritja e normave të interesit në tregjet financiare, që solli humbje nga shitja e instrumenteve financiare me vlerë të drejtë.

Humbjet në këtë zë të pasqyrave financiare prekën vlerën e 4.16 miliardë lekëve, ndërsa një vit më parë kishin qenë pozitive në vlerën e 281 milionë lekëve.

Sipas ligjit, fitimet ose humbjet nga kursi i këmbimit akumulohen në rezervën e rivlerësimit të bankës.

Në fund të 2022 gjendja e rezervës ishte negative në vlerën e 20.6 miliardë lekëve, në përkeqësim të mëtejshëm nga niveli gjithashtu negativ prej rreth 6 miliardë lekësh i një vitit më parë. Ligji “Për bankën e Shqipërisë” parashikon që Qeveria emeton tituj të borxhit me normë interesi të tregut për të mbuluar vlerat negative të rezervës së rivlerësimit.

Një instrument i tillë u përdor edhe vitin e kaluar, kur Ministria e Financave emetoi dhe transferoi për Bankën e Shqipërisë tituj borxhi me vlerën e rreth 6 miliardë lekëve, për të mbuluar gjendjen e mëparshme negative në rezervën e rivlerësimit.

Qeveria shqiptare parashikohet të emetojë përsëri tituj boxhi për të mbuluar humbjet e reja Bankës së Shqipërisë, brenda muajit prill të këtij viti.

Sejko: Kosto kalimtare që nuk cenon aftësitë e Bankës së Shqipërisë

Në një intervistë për “Monitor”, Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, u shpreh se normalizimi në nivel global i qëndrimit të politikës monetare, ka pasur pasoja negative në bilancin e të gjitha bankave qendrore, përfshi dhe atë të Bankës së Shqipërisë.

Megjithatë, ai theksoi se humbjet në bilanc janë pasoja kalimtare dhe nuk e cenojnë aspak aftësinë e bankave qendrore për të përmbushur mandatin e tyre. Sipas tij, këto rezultate buruan nga rënia më e shpejtë e vlerës së aktiveve në raport me vlerën e pasiveve të Bankës Qendrore.

Ai nëvizoi se normalizimi i shpejtë i qëndrimit të politikës monetare në vitin 2022 solli rezultate financiare negative në bilancin e shumë bankave qendrore, si Banka Qendrore Europiane, Banka Qendrore e Gjermanisë, Banka e Anglisë, të bankave qendrore të rajonit, përfshi dhe Bankën e Shqipërisë, etj.

“Në praktikë, kjo dukuri ndodh në periudhat e rritjes së shpejtë të normës bazë të interesit, si pasojë e rënies së çmimit te letrave me vlerë që bankat qendrore mbajnë në bilancin e tyre në funksion të zbatimit të politikës monetare, dhe / ose në periudhat e forcimit të kursit të këmbimit, si pasojë e rënies së vlerës në monedhën kombëtare të rezervave valutore që bankat mbajnë në bilanc në funksion të mbështetjes së politikës monetare dhe të stabilitetit financiar.

Në rastin e Shqipërisë, duket se të dy këta faktorë kanë kontribuuar në një rezultat financiar negativ për vitin 2022, si pasojë e thellimit të tepricave negative të Rezervave të Rivlerësimit të Valutave dhe të Titujve. Më konkretisht, rritja e normave të interesit në tregjet ndërkombëtare ka zhvlerësuar asetet e Bankës së Shqipërisë, pjesë të Rezervës Valutore për fundin e vitit 2022, ndërsa forcimi i kursit të këmbimit ka ulur kundërvlerën në lekë të rezervës tonë valutore,” tha Sejko.

Guvernatori shtoi se forcimi i kursit të këmbimit ka sjellë, në tërësi, pasoja pozitive në shëndetin e bilanceve publike dhe ka ndihmuar stabilitetin monetar e financiar.

“Sipas vlerësimeve tona, forcimi i kursit të këmbimit të Lekut në vitin 2022 ka sjellë reduktimin me rreth 37 miliardë lekë të vlerës së borxhit publik në vitin 2022. Duke llogaritur edhe ndikimin negativ në bilancin e Bankës së Shqipërisë, forcimi i Lekut kundrejt valutave ka përmirësuar me rreth 23 miliardë lekë bilancet e sektorit publik. Në të njëjtën kohë, një kurs këmbimi më i fortë për monedhën vendase ka ndihmuar në kontrollin e inflacionit dhe ka forcuar stabilitetin financiar, nëpërmjet lehtësimit të kostove të kredive për kredimarrësit në valutë, të cilët kanë të ardhurat në lekë,” ai.

Sipas tij, ndikimi i këtyre politikave në bilancin e Bankës së Shqipërisë prodhon edhe kosto kalimtare negative, por ato janë kalimtare, sepse burojnë nga parime kontabiliteti dhe jo humbje finale të aseteve. Këto kosto rikuperohen gradualisht me kalimin e kohës dhe riinvestimin e aseteve me norma më të larta interesi./E.Shehu

VINI RE: Artikulli është pronë intelektuale e Revista Monitor