Vendosni fjalën kyçe....

Grupi somalez al-Shabab sekuestron helikopterin e OKB-së bashkë me 8 persona


Grupi i armatosur islamik somalez al-Shabab ka sekuestruar një helikopter të Kombeve të Bashkuara, së bashku me rreth tetë persona, pasagjerë dhe ekuipazh, thanë burimet lokale për BBC.

Helikopteri u ul në territorin e kontrolluar nga grupi në Somalinë qendrore.

Disa raporte thanë se ishte detyruar të bënte një ulje emergjente, ndërsa të tjerë thanë se ulja ishte një gabim.

Al-Shabab kontrollon pjesë të mëdha të Somalisë jugore dhe qendrore.

Grupi është i lidhur me Al-Kaedën dhe ka zhvilluar një kryengritje brutale për gati 20 vjet.

Sekuestrimi i helikopterit u konfirmua për BBC nga Ministri i Sigurisë i rajonit Galmudug, Mohamed Abdi Adan.

Disa të huaj dhe dy vendas ishin në helikopter, tha për agjencinë e lajmeve Reuters, zyrtari ushtarak somalez, majori Hassan Ali.

“Ai gjithashtu mbante pajisje mjekësore dhe supozohej të transportonte ushtarë të plagosur nga rajoni Galgudud,” citohet të ketë thënë ai.

Helikopteri po shkonte drejt qytetit Wisil pranë vijës së frontit të një ofensive kundër al-Shabab nga forcat qeveritare kur u ul.

WFP shtoi se si masë paraprake fluturimet e saj në zonë ishin pezulluar përkohësisht.

Qeveria somaleze muajt e fundit ka intensifikuar luftën e saj kundër grupit të lidhur me Al-Kaedën.