Vendosni fjalën kyçe....

Veliaj për ndërtesat 50-vjeçare: Nuk bëhet fjalë për t’i prishur, do krijojmë pasaportën e sigurisë


Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj në një intervistë për Klan News shpjegoi projektvendimin për auditimin e pallateve të vjetra mbi 50-vjeçare.

Veliaj tha se ky vendim nuk ka lidhje me prishjen e këtyre ndërtesave, por me skanimin dhe krijimin e një pasaporte sigurie për çdo godinë.

“Këtu bëhet fjalë për të bërë një analizë të pallateve sidomos të atyre të ndërtuara me punë vullnetare, 60-70 vjeç, për të ditur ku kemi nevojë për përforcime. T’ju jap një shembull, me pallatin që është te Partizani panjohur, te ish-kinema Partizani, pallat i vjetër, por u pa që kishte nevojë vetëm për përforcim kolonash. Ne bëjmë një rrethim me fije çeliku, betonohet, qartazi duhet të hyjmë në çdo kat që të betonohet dhe nuk u prish pallati. Pra, këtu bëhet fjalë të bëhet një skaner të çdo pallati dhe si çdo qen e çdo mace ka pasaportë duhet të ketë edhe një pallat njerëzish. Në bazë të këtyre ndërhyrjeve diku do të duhet të bëjmë përforcim, diku do të duhet të bëjmë një mur mbajtës, kur katet e pare lokalet i kanë ndërruar. Bëhet fjalë për të ndihmuar njerëzit, bëhet fjalë për nder, jo për qeder. Nuk kemi asnjë rast që duhet shembur që ne nuk e kemi tashmë të certifikuar për shembje prej tërmetit. Këtu bëhet fjalë për t’i paraprirë gjërave që do të vijnë. Është më mirë ta parandalosh një sëmundje se sa ta luftosh. Bëhet fjalë për t’i dhënë çdo pallati të ndërtua para 50 vitesh e sipër një pasaportë e të themi: ka këto cene, dhe po të ndërhyjmë mund ta shërojmë këtë organizëm prej betoni”, tha Veliaj.