Vendosni fjalën kyçe....

Call Center i paligjshëm në banesën private, ndalohet një person në Kavajë, procedohen 4 të tjerë


Një person është arrestuar në Kavajë ndërsa katër të tjerë janë  proceduar në gjendje të lirë pasi akuzohen se kishin përshtatur një banesë të marrë me qira si Call Center, që nuk ishte i licencuar.

Gjatë kontrollit  në banesë u sekuestruan 4 kompjuterë dhe një sasi e dyshuar kanabisi.

Njoftimi

“Policia e Kavajës ka finalizuar operacionin policor të koduar “Përshtatja”, ku u zbulua në një banesë të marrë me qira një call center. Vihet në pranga 1 shtetas, procedohen në gjendje të lirë 2 të tjerë.

Sekuestrohen 4 kompjuterë që përdoreshin për këtë veprimtari të paligjshme dhe një sasi lënde e dyshuar narkotike kanabis, që u gjetën në ambientet e kësaj banese.

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Kavajë, pas një pune të mirëfilltë hetimore, bazuar dhe në informacionet e siguruara nga inteligjenca informative, organizuan dhe finalizuan me sukses operacionin policor të koduar “Përshtatja”.

Si rezultat i këtij operacioni u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit A. Rr., 38 vjeç, banues në Kavajë dhe nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasit E. H., 24 vjeç, dhe D. B., 28 vjeç, të dy banues në Kavajë.

Këta shtetas kishin përshtatur një banesë të marrë me qira në lagjen nr. 5, Kavajë, si Call Center, subjekt i cili ishte i palicencuar dhe me aktivitet të padeklaruar në organet kompetente. Gjatë kontrollit në ambientet e kësaj banese u gjetën të instaluar 4 kompjuterë që përdoreshin për këtë veprimtari të paligjshme.

Gjithashtu, gjatë kontrollit në këtë ambient, shërbimet e Policisë gjetën një sasi të vogël lënde të dyshuar narkotike kanabis, e cila u sekuestrua në cilësinë e provës materiale, së bashku me 4 kompjuterët.

Vijojnë veprimet hetimore për dokumentimin e plotë të veprimtarisë kriminale të këtyre shtetasve. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.”