Vendosni fjalën kyçe....

Pezullimi i prokurorëve Gashi e Gina, ‘Strasburgu’ godet sërish vetingun


Gjykata e Straburgut ka gjetur sërish shkelje në procedurat ligjore që po ndiqen me gjyqtarët dhe prokurorët në kuadër të procesit të rivlerësimit.

Këtë të martë, Gjykata Europiane e të Drejtave të Njeriut ka konstatuar shkelje të nenit 8 të Konventës që lidhet me “jetën familjare dhe imazhin” në procedurat e ndjekura për pezullimin nga detyra të ish-prokurores së Prokurorisë së Përgjithshme, Rovena Gashi dhe bashkëshortit të saj, prokurorit të Tiranës, Dritan Gina.

Në konkluzion, Strasburgu vendosi të pranojë ankimin e aplikantëve dhe të gjejë shkelje të nenit 8 të Konventës, duke vendosur shpërblimin e paditësve për shkelje të nenit 8 të Konventës, ndërkohë që nuk mori në shqyrtim problematika të tjera që lidhen drejtëpërdrejtë me procesin e vetingut, pasi ato janë në shqyrtim në një aplikim tjetër në Strasburg nga bashkëshortët Rovena Gashi dhe Dritan Gina.

Një mori të dhënash konfidenciale, të siguruara gjatë hetimit administrative të zhvilluar nga Komisionit i Pavarur i Kualifikimit (KPK) u publikuan në një portal periferik, në administrim të një ish-deputeti të maxhorancës socialiste.

Këto të dhëna u shfrytëzuan nga Prokurorja e Përgjithshme e Përkohshme në atë kohë, Arta Marku, për të urdhëruar nisjen e procedimit penal ndaj bashkëshortëve prokurorë, Gashi dhe Gina.

Në bazë të këtij vendimi, Arta Marku, e cila kishte një konflikt të hapur me Gashin, e cila mbante pozicionin e drejtueses së Sektorit të Dekriminalizimit në Prokurorinë e Përgjithshme urdhëroi pezullimin nga detyra të tyre, nën justifikimin e shkeljes së rëndë disiplinore.

Prokurorët u pezulluan nga detyra në fillim të vitit 2018, me një urdhër të paligjshëm të ish-Prokurores së Përgjithshme, Arta Marku.

Prokurorët e ankimuan vendimin në Gjykatën Administrative të Apelit. Gjithashtu prokurorët Gashi dhe Gina iu drejtuan Gjykatës së Strasburgut. Por, pavarësisht këtij vendimi të Gjykatës, Prokurorja e Përgjithshme e Përkohshme, Arta Marku, nuk firmosi rikthimin në detyrë të Ginës. Vendimi për rikthimin në detyrë të tij u nënshkrua vetëm kur në krye të Prokurorisë së Përgjithshme u emërua Olsian Çela.

Dy bashkëshortët prokurorë kërkuan nga Gjykata e Strasburgut të konstatohej shkelja e nenit 8 të Konventës, “jeta familjare”, nëpërmjet ndërprerjes së menjëhershme dhe të pajustifikuar të marrëdhënieve të punës, si edhe dëm moral e prishje të imazhit të subjekteve.

Këto argumenta u gjetën të drejta nga Gjykata e Strasburgut, e cila vendosi ditën e sotme (4 prill 2023), pranimin e ankimit dhe konstatimin e shkeljes së nenit 8 të Konventës (“Jeta familjare”).

Ndërkohë, dy prokurorët, Gashi dhe Gina, kanë dorëzuar një tjetër aplikim në Gjykatën e Strasburgut, ku kanë renditur një seri shkeljesh të rënda proceduriale të kryera nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit dhe Kolegji i Posaçëm i Apelimit, gjatë procesit të rivlerësimit të tyre.

Ky aplikim vijon të jetë në shqyrtim në Gjykatën e Strasburgut.