Vendosni fjalën kyçe....

Buzëqeshja e Tristanit, një emblemë që do t’i mungojë qytetit


Bashkëqytetarët durrsakë e përcollën 55-vjeçarin Tristan Sherifi në banesën e fundit me një duartrokitje të gjatë, në shenjë respekti dhe nderimi.

Tristani ishte njeri i thjeshtë, familjar i mirë dhe punoi gjithë jetën si fotograf dhe operator televiziv. Megjithëse nuk kishte kryer shkollën e lartë për një formim të mirëfilltë artistik, njerëzit e deshën jo vetëm për aftësitë profesionale, por më së shumti për buzëqeshjen e tij.

Nuk dinte t’i thoshte askujt JO, veçanërisht atyre që kishin më shumë nevojë, të njohur a të panjohur qofshin. Në një shoqëri ku buzagazi mungon gjithnjë e më shumë, buzëqeshja dhe mirësia e Tristanit u kthyen në një lloj embleme, e cila në të ardhmen do t’i mungojë qytetit, miqve dhe kolegëve të tij.

Një buzëqeshje e vërtetë dërgon një mesazh shumë të qartë: Ndjehem mirë dhe jam i gatshëm për të bashkëpunuar. Buzëqeshja ndihmon gjithashtu për të forcuar vetëbesimin tonë, por mesa duket, ne jemi një popull që po harrojmë të qeshim.

Shqipëria renditet në vendin e 90-të në listën e popujve të lumtur, një tregues që edhe buzëqeshja po na fshihet nga fytyra. Edhe më keq, po ndryshon koncepti ynë për qëndrimin pozitiv të njerëzve në publik.

Tanimë vlerësohen më shumë njerëzit e ngrysur apo të rinjtë që zbresin nga makinat me pamje të rebeluar.

Disa muaj më parë, në ditën e parë të qëndrimit në SHBA, më bëri përshtypje buzëqeshja me të cilën një zonjë e panjohur na hapi rrugën, ndërsa bënim pazar në një supermarket.

Im bir më siguroi se nuk e njihte gruan elegante, por mbi të gjitha më tregoi se kjo gjë ndodhte rëndom në mjediset e përbashkëta publike.

Përballë njëri- tjetrit në një korridor, trotuar, teatër apo në shëtitore, kalimtarët ta lehtësojnë rrugën duke buzëqeshur, duke të të kujtuar se nuk kanë humbur asgjë, veçse kanë fituar mirënjohjen e tjetrit.

Edhe në qytetet tona vazhdojmë ta duam këtë. Duartrokitja e gjatë në përcjelljen e Tristanit na siguron se “buzëqeshja është një mjet i mrekullueshëm komunikimi, një magnet për vlerësuar e respektuar njerëzit”.

VINI RE: Artikulli është pronë intelektuale e Reporter.al