Vendosni fjalën kyçe....

Vuçiç: Shpresoj të vizitoj Kosovën deri në fund të vitit


Presidenti serb, Aleksandar Vuçiç, tha në mbledhjen e bordit të Partisë Përparimtare Serbe (SNS) se shpreson që deri në fund të vitit të mund ta vizitojë Kosovën, raporton Radiotelevizioni i Serbisë (RTS).

Në këtë takim, Vuçiç tha se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka konfirmuar se nuk do ta themelojë Asociacionin e komunave me shumicë serbe, sepse nuk është në përputhje me ligjet e Kosovës.

“Ne po përgatitemi për bisedime të hënën dhe të martën, dhe pas kësaj do të shkojmë në Ohër. Më besoni se nuk e kam të qartë se për çfarë të flasim atje”, tha ai.

I dërguari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, do ta vizitojë Beogradin më 13 dhe 14 mars.

Lajçak ka qëndruar në Kosovë më 9 dhe 10 mars. Fillimisht ai takoi presidenten e vendit Vjosa Osmani dhe kryeministrin Albin Kurti.

Pas takimit me Lajçakun, Kurti, u shpreh i gatshëm që më 18 mars në Ohër ta nënshkruajë Marrëveshjen për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë.

Më 10 mars, ai zhvilloi bisedime me partitë opozitare në Kosovë dhe përfaqësues të Listës Serbe, partia më e madhe e serbëve në Kosovë, rreth propozimit evropian për normalizimin e marrëdhënieve mes dy vendeve.

Lajçak tha se qëllimi i vizitës së tij dyditore është që të dëgjojë qëndrimin e Kosovës lidhur me propozimin evropian për normalizim, për të cilin palët u pajtuan gjatë takimit të 27 shkurtit, në mënyrë që në takimin e radhës në Ohër, palët të mund të bëjnë hapin e radhës, atë të finalizimit të marrëveshjes. Tani, BE-ja po punon me palët në planin e zbatimit të këtij propozimi.