Vendosni fjalën kyçe....

Pesha e kapitalit vendas në tregun bankar u rrit përsëri në vitin 2022


Pesha e bankave me kapital shqiptar në tregun bankar u rrit përsëri vitin e kaluar.

Statistikat e Shoqatës Shqiptare të Bankave tregojnë se në fund të vitit 2022 bankat me kapital vendas zotëronin 33.8% të aktiveve totale të sektorit bankar në vend.

Krahasuar me një vit më parë, pesha e bankave vendase në treg është rritur me 1.9 pikë përqindje, ndërsa që prej vitit 2015, kur nisi cikli i shitblerjeve në sektorin bankar, pjesa e tregut e bankave vendase është rritur me më shumë se dy herë.

Aktualisht, sistemi bankar ka pesë banka me kapital mbizotërues shqiptar, Credins Bank, Banka Amerikane e Investimeve (ABI Bank), Tirana Bank, Union Bank dhe Banka e Bashkuar e Shqipërisë. Katër bankat më të mëdha e kanë rritur pjesën e tyre të tregut.

Credins Bank ngelet banka më e madhe shqiptare, me 15.9% të tregut, në rritje me 0.1 pikë përqindje krahasuar me një vit më parë. Vijon ABI Bank, që zotëron 6.2% të aktiveve totale, edhe kjo në rritje me 0.7 pikë përqindje në harkun e një viti.

Tirana Bank ka arritur tashmë në 6.1% të tregut, nga 5.4% që mbante një vit më parë, ndërsa pjesa e tregut e Union Bank është rritur në 4.9%, nga 4.5% një vit më parë. Banka më e re me kapital shqiptar, Banka e Bashkuar e Shqipërisë, vitin e kaluar ruajti pjesë tregu të pandryshuar, me 0.7 % të totalit të aktiveve.

Rritja e peshës së bankave me kapital vendas në tregun bankar është njëkohësisht rezultat i procesit të shitblerjeve, por edhe i rritjes organike të përmasave të aktivitet.

Pasi sektori bankar filloi të ndiente efektet e krizës që nisi në vitin 2008, shumica e bankave që iu takonin grupeve bankare të Eurozonës u detyruan të frenonin rritjen, për shkak të përkeqësimit të cilësisë së portofolit të kredisë, por edhe të kërkesave në rritje rregullative nga autoritetet europiane të mbikëqyrjes bankare.

Kjo krijoi më shumë hapësira në treg për ato banka me aksionerë jashtë Eurozonës, që nuk kishin kufizime të këtij lloji. Mes tyre, bankat lokale ishin ndër subjektet më aktive, duke e zgjeruar pjesën e tyre të tregut, sidomos nëpërmjet huadhënies.

Një shtysë të mëtejshme prania e kapitalit vendas e mori nga procesi i shitblerjeve brenda sistemit. ABI Bank hyri në treg duke blerë fillimisht filialin e Credit Agricole dhe më pas edhe bankën NBG Albania. Megjithëse fillimisht zotërohej nga aksionerë amerikanë, formalisht ABI Bank ka qenë gjithnjë një bankë shqiptare, sepse kontrolli i paketës së aksioneve bëhej nëpërmjet institucionit financiar Tranzit.

Pas blerjes së 80% të aksioneve nga drejtori ekzekutiv Andi Ballta, ABI Bank është edhe në mënyrë të tërthortë një bankë me kapital mbizotërues shqiptar.

Në vitin 2019, edhe Tirana Bank u bë një bankë me kapital shqiptar, pasi Grupi Bankar i Pireut e shiti tek grupi Balfin. Një tjetër bankë shqiptare që gërshetoi rritjen organike me zgjerimin përmes blerjeve ishte Union Bank, që në të njëjtin vit bleu Bankën Ndërkombëtare Tregtare.

Viti i kaluar konfirmoi tendencat e viteve të fundit dhe grupet bankare të Eurozonës të ngelura në tregun shqiptar pësuan rënie të mëtejshme të pjesës së tyre të tregut.

Pjesa e Raiffeisen Bank pësoi rënie në 15%, nga 15.3% që kishte qenë në fund të vitit 2021. Ndërsa pjesa e Intesa Sanpaolo Shqipëria ra më tej në 10.6%, nga 11.3% që kishte qenë një vit më parë. Përjashtim bëri banka më e vogël, ProCredit Bank Shqipëri, që shënoi një rritje të lehtë të peshës së tregut në 2.2%, nga 2.1% që mbante në vitin 2021.

Veç bankave me kapital shqiptar, rritje të pjesës së tregut kanë shënuar edhe bankat me kapital të huaj jashtë Eurozonës. Banka Kombëtare Tregtare forcoi kryesimin në tregun bankar dhe pjesa e saj arriti në 26.2%, nga 26% në fund të vitit 2021.

Rritje të ndjeshme shënoi edhe Banka OTP Albania, që falë blerjes dhe përtithjes së Alpha Bank arriti në 9.5% të tregut, nga 6.4% që mbante një vit më parë. Rritje të ndejshme arriti edhe Fibank, në 2.7% të tregut, nga 2.3% që zotëronte një vit më parë.

Mbështetur në të dhënat e paaudituara të publikuara ngë Shoqata Shqiptare e Bankave, totali i aktiveve të sektorit bankar sipas Standardeve Ndërkombëtare të Raportimit Financiar (IFRS) në fund të vitit 2022 arriti në 1.87 trilionë lekë, në rritje me 5% krahasuar me një vit më parë.

VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Monitor