Vendosni fjalën kyçe....

KQZ miraton regjistrimin e PS dhe PL në zgjedhje, diskutime për dy palët brenda PD-së


Komisioni Qendror i Zgjedhjeve u mblodh sot për të shqyrtuar kërkesat e partive politike për regjistrimin në zgjedhjet lokale të 14 majit.

Pa ndonjë kundërshti KQZ miratoi kërkesën e Partisë së Lirisë dhe Partisë Socialiste për regjistrimin në zgjedhjet vendore të 14 majit.

Ndërsa pas diskutimeve do merret vendimi për regjistrimin e Partisë Demokratike në zgjedhje. Kjo sepse në institucionin që administron zgjedhjet kanë mbërritur dy kërkesa për regjistrim brenda PD-së.

Një me firmë të Komisionit të Rithemelimit të Sali Berishës dhe një me firmë të Enkelejd Alibeajt si i deleguar nga Lulzim Basha.

Kjo situatë ka hapur diskutime mes përfaqësuesve të të dy palëve brenda PD-së.

Përfaqësuesi i Enkelejd Alibeajt në KQZ, Indrit Sefa i bëri thirrje Celibashit që kërkesa për regjistrim e ‘Rithemelimit’ është e papranueshme pasi kanë folur gjykatat.

“Këto vendime jo vetëm nuk janë të ekzekutueshme, jo vetëm që nuk noterizohen që për gat të keq janë noterizuar. Nuk mund të sjellin asnjë efekt.  Në asnjë rresht të këtij vendimi nuk shkruhet Sali Berisha kryetar i Partisë Demokratike, shkruhet Komisioni i Përkohshëm i Rithemelimit të cili i ka mbaruar mandati në prill të viti 2022.

Ligji kërkon vërtetim të regjistrimit të partisë në gjykatë, kryetarin dhe të dhëna të tjera. Këto janë dokumente që pranohen nga komisioneri.  I nderuar komisioner unë nuk dua t’i hyj më tej këtij debati, nuk është momenti për të bërë debat publik mes demokratëve. Legjitimin këtu e përcaktojnë gjykatat që janë shprehur”, tha Sefa.

Nga ana tjetër, përfaqësuesi i Rithemelimit, Ledio Nuraj kërkoi shmangien e debatit politik ndërsa theksoi se nuk është e nevojshme të kërkohet dokumentacioni që kanë depozituar për regjistrim në zgjedhje.

Po ashtu shprehet se përfaqësuesit e Alibeajt përdorin vula të vjetra që janë shfuqizuar nga anëtarësia.

S’jemi në seancë gjyqësore që do të thotë se s’kemi palë të interesuar që të kërkohen dokumentacioni. Jo se kemi probleme se është dokumentacion autentik ashtu siç e kërkon KQZ, por është vendosur nga kryetari i partisë. Edhe ne mund të kërkonim dokumentacione nga fraksioni i PD që siç dihet s’kanë emër kryetari, firma e vula. Kanë vula të vjetra që janë shfuqizuar nga anëtarësia. Kështu që ky është debat që s’duhet të bëhet fare këtu por ajo për të cilën kemi ardhur, të krahasohen dokumentacionet dhe të vendoset cila është në përputhje me ligjin.

Ato që tha Sefa hidhen për konsume mediatike. PD është dhe ekziston ajo që ka zgjedhësit, partinë e saj, ka kryetarin e saj, atë që është zgjedhur në përputhje me Kushtetutën e të gjitha normat dhe këtu nuk kemi asnjë dyshim. I përmbahemi çështjes për të cilën kemi ardhur”, tha Nuraj.