Vendosni fjalën kyçe....

Këshilltarja e kryeministrit japonez e shqetësuar, thotë se vendi ‘do zhduket’ nëse njerëzit nuk lindin më shumë fëmijë


Japonia rrezikon të pushojë së ekzistuari si vend nëse çështja e saj e nivelit të ulët të lindjeve lihet e pazgjidhur, sipas Masako Mori, një ndihmëse e kryeministrit Fumio Kishida.

Mori, një ligjvënëse e Dhomës së Lartë dhe ish-ministre, këshillon kryeministrin për problemin e nivelit të lindjeve.

Zyrtarja i bëri komentet në një intervistë pak pasi Ministria e Shëndetësisë e vendit njoftoi statistikat vjetore mbi vdekjet dhe normat e lindjeve, duke paraqitur një pamje mjaft të zymtë. Dy herë më shumë njerëz vdiqën sesa kishin lindur në vend, me 799,728 lindje të regjistruara krahasuar me 1.58 milionë vdekje.

“Nëse vazhdojmë kështu, vendi do zhduket.” – tha Mori.

Shifrat vazhdojnë tendencën dhjetëvjeçare të rënies së popullsisë në Japoni, megjithëse shifra e lindjeve ra nën 800,000 për herë të parë në vitin 2022.

Popullsia e Japonisë vazhdoi të plaket gjithashtu, me moshën mesatare të raportuar në 49 vjeç. Numri i personave mbi 65 vjeç arriti në mbi 29%, duke e bërë Japoninë vendin e dytë në botë me popullsinë më të vjetër, të mundur vetëm nga mikroshteti evropian i Monakos.

Nëse trendi negativ vazhdon, Japonia rrezikon një shkatërrim të plotë të shoqërisë së saj, tha Mori, duke shtuar se gjendja e nivelit të lindjeve bëhet gjithnjë e më alarmante çdo vit.

“Nuk po bie në mënyrë të përshkallëzuar, po shkon drejt poshtë.” – tha ajo.

“Nëse asgjë nuk bëhet, sistemi i sigurimeve shoqërore do shembet, fuqia industriale dhe ekonomike do bjerë dhe nuk do të ketë rekrutë të mjaftueshëm për ushtrinë.” – shtoi Mori.

Vërejtjet alarmante u bënë jehonë deklaratave të bëra nga shefi i Morit në fund të shkurtit. Në atë kohë, Kishida e përshkroi situatën e nivelit të lindjeve si një rrezik urgjent për shoqërinë japoneze, duke premtuar më shumë shpenzime për të nxitur lindjen e fëmijëve.

“Japonia po qëndron në zgrip, nëse ne mund të vazhdojmë të funksionojmë si shoqëri,” tha ai në atë kohë.

“Përqendrimi i vëmendjes në politikat në lidhje me fëmijët dhe rritjen e fëmijëve është një çështje që nuk mund të presë dhe nuk mund të shtyhet”.