Vendosni fjalën kyçe....

Protestë në Athinë për aksidentin tragjik hekurudhor, qytetarët përleshen me policinë (Video)


Skena të dhunshme u shpalosën në kryeqytetin grek Athinë të dielën, ndërsa një tubim doli jashtë kontrollit dhe protestuesit shfrynë zemërimin duke sulmuar oficerët e policisë.

Në ngjarjen për të përkujtuar viktimat e aksidentit vdekjeprurës të martën, punonjësit e hekurudhave pretenduan se mosinvestimi i qeverisë për vite me rradhë kishte çuar në tragjedi.

Rreth 10,000 njerëz morën pjesë para parlamentit grek pak pas mesditës, me studentë dhe aktivistë të krahut të majtë që iu bashkuan punëtorëve të hekurudhave.

Demonstruesit lëshuan balona të zeza në qiell, duke brohoritur ‘ky krim nuk do harrohet!’ e duke tundur pankarta me slogane të tilla si ‘politikat e tyre kushtojnë jetë njerëzish!’.

 

Të paktën 57 persona humbën jetën dhe shumë të tjerë u plagosën të martën mbrëma, kur një tren pasagjerësh me më shumë se 350 persona në bord u përplas kokë më kokë me një tren mallrash në të njëjtën linjë pranë qytetit Tempe, afër bregut lindor të Greqisë.

Gjatë ngjarjes, një grup i vogël protestuesish me kapuç filluan të sulmonin policinë me bomba ‘Molotov’, ndërsa oficerët u përgjigjën me gaz lotsjellës dhe granata trullosëse. U bënë edhe disa arrestime.

 

Sipas Reuters, treni, i cili po udhëtonte nga Athina për në qytetin verior të Selanikut, ishte plot me studentë universiteti që ktheheshin pas një fundjave të gjatë pushimi.

Ndërsa qeveria e kryeministrit Kyriakos Mitsotakis fajësoi gabimin njerëzor për përplasjen, ai pranoi të dielën se, nëse do të kishte pasur një sistem sigurie në distancë, ‘do të kishte qenë, në praktikë, e pamundur që aksidenti të ndodhte’.

Nëpërmjet postimit në Facebook, kryeministri i kërkoi falje të gjithë kombit dhe në veçanti të afërmve të viktimave, duke u zotuar për një hetim të shpejtë për tragjedinë.