Vendosni fjalën kyçe....

“Inside Story”: Prokurori i SPAK në dosjen e trafikut të drogës, dëshmitari i drejtësisë zbuloi emrin


Në emisionin “Inside Story” në një dokumentar investigativ ka zbuluar se emri i Prokurorit të SPAK-ut Ened Nakuçi ka qenë i përfshirë në dosjen e hetimore “Shpirti”.

Emri i Prokurorit është zbuluar nga bashkëpunëtori i drejtësisë.

Në dokumentar theksohet se emri i Nakuçit është hequr nga dosja hetimore shqiptare.

Investigimi:

Por, çfarë ka ndodhur. Le t’i kthehemi edhe njëherë episodit të parë të trafikut, atij të 10 nëntorit të vitit 2015, kur u bllokuan 808 kilogramë kanabis në bregdetin e Vlorës.

Lidhur me këtë tentativë trafiku, ishte shpallur në kërkim shtetasi Robert Myftari, bashkëpunëtor i afërt i shefit të organizatës Ilirian Duçellari.

Në këtë material të prokurorisë italiane siguruar ekskluzivisht nga Inside Story, thuhet se Myftari kishte qenë disa herë në lokalin e “Lanit” edhe në prezencë të policëve, por askush nuk e arrestonte. Për zgjidhjen e çështjes, Lani kishte angazhuar prokurorin Maksim Sota.

 

“Ishte e nevojshme të transferohej procedimi penal nga Tirana në Vlorë. Drejtuesi i hetimeve në Tiranë ishte Ened Nakuçi. Në këtë çështje ndërhynë Maksimi, Miri, Landi dhe psikologu Rezarti. Ata duhej të arrinin tek titullari i dosjes hetimore.  Ne i kemi, le të themi njoftuar, u kemi vënë në dispozicion hetimet tona. Zbardhja do të jetë detyrë e institucioneve ligjzbatuese shqiptare”, u shpreh Francesco Giannett, prokuror i antimafias.

Në atë kohë, Ened Nakuçi ishte prokuror i krimeve të rënda që kishte në juridiksion çështjet e trafikut. Çuditërisht, në dosjen shqiptare të operacionit “Shpirti”, nuk gjendet askund emri i prokurorit Nakuçi që përmendet nga i penduari Mariglen Shusha.

Ky është dokumenti i përkthyer në gjuhën italiane që i është përcjellë autoriteteve atje për vijimin e hetimeve. Njerëzit e angazhuar nga Lani për mbylljen e dosjes udhëtuan drejt Tiranës referuar dëshmisë që Mariglen Shusha ka dhënë para prokurorëve italianë dhe atyre shqiptarë në 4 Dhjetor 2019.

“Lani ndërhyri edhe përmes personave të tjerë. Unë dhe Lani shkuam në Tiranë ku takuam një avokate rreth të 50-ve. Siç thashë, po kërkonte një kontakt për të arritur tek Enedi, drejtuesi i hetimit. Gruaja, me sa më tha Lani i kishte thënë se do të merrej me çështjen”.

“Lani ka paguar 200 mijë euro”, si u mbyll dosja e drogës nga prokurori i SPAK

Bën përshtypje fakti se beteja ligjore që trafikantët kishin planifikuar ishte ajo për transferimin e dosjes nga Krimet e Rënda në Vlorë.

Pra, pagesa që ata kërkonin të realizonin për prokurorin e Krimeve të Rënda Nakuçi ishte vetëm për transferimin e dosjes. Me sa duket, në Vlorë gjithçka e kishin kollaj përmes prokurorit Maksim Sota.

“Landi, Maksimi dhe Miri po merreshin me çështjen deri në kalimin në prokurorinë e Vlorës. Di që për zgjidhjen e çështjes së sekuestrimit të 808 kilogramëve marijuanë, për transferimin mes prokurorive, Lani ka paguar 150 deri në 200 mijë euro, kështu më ka thënë. Jemi në pritje për të kuptuar nëse provat tona kanë pasur rezultat në proceset në Shqipëri. Ne nuk prcedojmë në Itali le të themi, persona publik shqiptarë, nuk është kjo… Kjo bëhet në Shqipëri edhe falë hetimeve tona, të shohim si do shkojë procesi në Shqipëri”, u shpreh Francesco Giannett, prokuror i antimafias.

Tani, le të shohim në mënyrë kronologjike hapat kryesorë se çfarë ndodhi me dosjen hetimore ndaj pjesëtarit të grupit Robert Myftari, dosje e cila ishte në dorë të prokurorit Ened Nakuçi.

Në bazë të referimit të policisë së Vlorës, prokurori i Krimeve të Rënda regjistroi procedimin penal numër 313 datë 11 nëntor 2015. Në datën 29 janar 2016 u regjistrua si i dyshuar emri i Robert Myftarit.

Këtu është momenti kur hyn në lojë “Lani” me njohjet e tij në prokurori. Në 25 Nëntor të vitit 2016 vendoset pushimi i hetimeve ndaj Robert Myftarit, edhe pse në gomonen e drogës ishin gjetur dokumente që e lidhnin me të. Ndërkohë, në 10 Korrik 2017 u pezullua dosja pasi nuk u arrit të identifikoheshin trafikantët.

Pra, dëshmia e Mariglen Shushës përputhet me atë që ka ndodhur në të vërtetë. Hetimet ndaj Myftarit ishin pushuar dhe dosja ishte pezulluar.

Dosja “Shpirti”, i penduari zbulon si trafikonte “Lani” tonelata kanabis

Mariglen Shusha, i konsideruar si një prej organizatorëve të trafikut gjatë operacionit “Shefi”, pranoi të bashkëpunonte me autoritetet në Itali. Ishte ky personazh që zbuloi bashkëpunimin me oficerë policie dhe prokurorë, lidhje të cilat do ti zbërthejmë pak më poshtë me prova të papublikuara më parë.

Marigleni zbuloi se organizata e përbërë nga disa grupe, kryesohej nga Ilirian Duçellari alias Zaimi, banues në Vlorë. Në këtë grup ka pasur një rol të rëndësishëm vetë i penduari Mariglen Shusha. Ai grumbullonte drogë në Shqipëri dhe e niste drejt Italisë ku e priste vëllai i Lani Duçellarit.

Lënda është mbledhur gjatë muajit shtator 2015 në shtëpinë e shtetasit Julian Bejdollari pranë pyllit të Sodës Vlorë. Shtetasi Aurel Kalari ka qenë personi përgjegjës për këqyrjen e lëndës narkotike, e cila ndodhej në shtëpinë e Julianit.

Për transportin e lëndës narkotike shtetasi Lani Duçellari i ka dhënë shtetasit Mariglen Shusha 3000 euro dhe ky i fundit ka shkuar në Itali, ku në Bari do të priste lëndën e cila do të ishte trafikuar në rrugë detare nga anëtarë të tjerë të grupit kriminal të kryesuar nga shtetasi Lani Duçellari.

Mjeti lundrues që dyshohet se transportonte drogën ishte blerë nga Lani Duçellari në vitin 2014 nga një shtetas italian në Bari.

Fillimisht u regjistrua në emër te Elton Hamza e më pas kaloi në pronësi të Robert Myftarit, bashkëpunëtor i afërt i Lanit. Me këtë mjet lundrues Duçellari kishte trafikuar tonelata kanabisi. Në dëshmi Mariglen Shusha zbulon se ai së bashku me Duçellarin kishin shkuar pranë vendit ku ishte sekuestruar droga, të pashqetësuar nga policia lokale.

Skafisti Robert Myftari u arrestua më vonë por shumë shpejt u la i lirë. Kapoja i grupit Lani Duçellari, ka paguar të gjitha shpenzimet për familjen e Robert Myftarit, si dhe për avokatin siç zbulohet në dosjen hetimore.

Paratë që Lani Duçellari dhe grupi kriminal që ai drejtonte i bënin nga aktivitetet kriminale, pastroheshin nëpërmjet kompanisë dhe fabrikës në pronësi të Lani Duçellari dhe bashkëshortes së tij, Elisabeta Duçellari. Përveç kësaj, Lani Duçellari me paratë që Mariglen Shusha, bashkëpuntori që zgjodhi të flasë, kishte sjellë nga Italia, kishte blerë një lokal dhe një Range Rover.

Interesant është fakti se furgoni i sekuestruar me lëndën narkotike iu kthye shtetasit Alban Koshi, një prej anëtarëve të grupit të trafikut. Ai pretendonte se ia kishin vjedhur mjetin dhe nuk kishte lidhje me drogën. Pas ngjarjes, edhe gomonia i është kthyer Robert Myftarit. Më pas, i është shitur në mënyrë fiktive familjes së Lani Duçellarit. Në fakt, mjeti lundrues i përkiste ‘de fakto’ pikërisht Duçellarit. Autoritetet jo vetëm dështuan të zbulojnë në momentet e para trafikantët, por, ironikisht u detyruan edhe tu kthejnë mjetet e trafikut.

“Evolucionet janë ndjekur mbi të gjitha në hetimet që kemi me kolegët shqiptarë me të cilët kemi mjaft skuadra investigimi të përbashkëta ku kërkojmë të ndjekim ngarkesat para se të arrijnë në Itali”u shpreh Francesco Giannett, prokuror i antimafias.

Në përfundim të hetimeve për operacionin “SHEFI”, që parapriu operacionin “Shpirti”, në mars të vitit 2018 u arrestuan shtetasit shqiptarë Fiqiret Seferi dhe Ferhat Ajdini. Të dy këta shtetas njihen si skafistë të grupeve në episode të shumta. Seferi u dënua me 18 vjet e 10 muaj, ndërsa shtetasi Ferhat Ajdini me 19 vjet burg.

Bllokimi i ngarkesës nga policia, zbulon atentatin me tritol ndaj anëtari të bandës

Dëshmitë e bashkëpunëtorëve të drejtësisë, zbulojnë edhe konfliktet mes trafikantëve.

Pas sekuestrimit të një sasie droge në shtator të vitit 2016 në Bari, Malton Lleshi i  njohur me nofkën “Labi”, kishte kryer në Shqipëri një atentat me lëndë shpërthyese ndaj shtetasit Ferhat Ajdini.

Bomba e përgatitur me telekomandë, ishte vendosur në një nga tavolinat jashtë lokalit në pornësi të Ajdinit. Fatmirësisht, nga shpërthimi nuk pati të lënduar. Duket se ngjarja ishte një parlajmërim. Lleshi kërkonte shumën prej 50 mijë eurosh, si kompensim për drogën e sekuestruar.

Ajdini i kishte shpjeguar Pinxho-s dhe Lleshi-t se nuk e kishin paguar për transportin e marijuanës nga Shqipëria në Itali. Ata e kishin konsideruar punën të mbyllur, duke i ftuar të dy, Ajdinin dhe Sef të organizoheshin drejtpërdrejt me të për udhëtimet që do të bënin në të ardhmen drejt Italisë, sepse ai pati mundësinë t’i prezantonte me njerëz që do t’u garantonin mbështetje nga forcat e rendit në Shqipëri.

Bashkëpunëtorët e drejtësisë Mariglen Shusha, Donial Drolli dhe Elton Hamza përshkruan me detaje strukturën e grupit kriminal shqiptar, anëtarët, rolet e luajtura nga secili, dhe veprimtaritë e kryera.

Ata zbuluan mes të tjerash se si paratë e fituara nga droga investoheshin në biznese dhe pasuri të paluajtshme në Shqipëri.

“Koka” e grupit kriminal shqiptar dhe pronari i drogës së trafikuar, në periudhën e përcaktuar, është deklaruar kryesisht Ilirjan Duçellari në shumicën e episodeve. Ai përmendet edhe me nofkat “Xhaxhai” dhe “Lani i Kafes.

Nga dosja hetimore zbulohet se ai kishte kultivuar në zonën e Skraparit plantacione me mbi 45 mijë bimë kanabis, të gjitha të destinuara për tregun Italian. I penduari Mariglen Shusha deklaroi se nga këto bimë të kultivuara në afërsi të Malit të Tomorit, ishte siguruar një sasi prej 7 deri në 8 tonë lëndë narkotike.

Shtetasi Ilirjan Ducellari në krye të grupit kriminal që kryente trafikimin e drogës, por edhe nëpërmjet kultivimit të drejtpërdrejtë të kanabisit në Shqipëri, përpunimit, paketimit dhe ruajtjes së saj për ta trafikuar në Itali, me gomone në të cilat hipte gjithmonë një person i besuar si shoqërues.

Hetimet nxorën në pah skandalin e implikimit të punonjësve të policisë dhe zyrtarëve të administratës në linjën e rëndësishme të trafikut të drogës. Dëshmitë e një prej të penduarve, zbulojnë edhe dyshimet për korruptimin e një prokurori të rëndësishëm që sot është pjesë e SPAK.

“Kokë lopa” që fikte radarët, zbulohen policët që ruanin drogën e “Lanit”

Aksioni ndërkombëtar “Shpirti” nxori zbuluar implikimin e disa zyrtarëve në linjën e trafikut.

Drejtori i Zyrës së Punës në Kavajë Saimir Kurti, shoqëruesit e Tahirit, Agustin Deda dhe Hekuran Marku dalin nga përgjimet si pjesëtarë aktivë dhe zotërues të lëndës narkotike që trafikohej.

“Ne kemi sinjalizuar autoritetet shqiptare për gjërat që kishin dalë nga hetimet tona, u kemi çuar kopje të akteve, u kemi çuar kopje të interpretimeve nga dilnin të dyshuar të rëndësishëm njerëz që do të duhej të përfaqësonin institucionet” u shpreh Francesco Giannett, prokuror i antimafias. Drejtori i administratës dhe dy shoqëruesit ishin të përfshirë direkt sipas hetimeve, duke qenë njëkohësisht edhe garanci për suksesin e operacioneve të trafikut. Të gjithë grupet që bashkëpunonin në kuadër të strukturës kriminale, kishin disa lidhje të tjera të rëndësishme në polici dhe sistemin e drejtësisë.

“Nga provat e siguruara rezulton se Ilirian Ducellari për trafikimin e dorgës në kuadër të grupit të strukturuar kriminal kishte mbështetjen e zëvendësdrejtorit të Policisë së Vlorës Ilirjan Balla dhe efektivit të Policisë Kufitare të Vlorës Festim Lelaj.

Çdo ngarkesë e Lanit kishte mbrotjen e këtyre zyrtarëve të policisë që garantonin kalimin pa asnjë problem jashtë territorit të Shqipërisë. Për këtë, ata kishin pagesën e tyre bazuar në sasitë që transportoheshin.

Të gjitha operacionet e trafikut gjatë transportit tokësor të drogës në pronësi të tij, ndiqeshin nga agjentë të policisë që u garantohej një komision nga paratë e fituara të trafikut. Në këtë periudhë, falë lidhjeve të shefit të organizatës me policinë, u bë e mundur fikja për 1 orë e radarëve që monitoronin qarkullimin e mjeteve detare”.

Referuar dëshmive, oficeri i policisë Lelaj thirrej nga trafikantët me nofkën “kokë lopa”. Mariglen Shusha ka zbuluar edhe shifrat konkrete të përfituara nga Balla dhe Lelaj. Në një episod, në dëshmi thuhet se janë paguar 15 mijë euro për në tokë dhe 15 mijë të tjera për në det. Pra, shumat respektive për nëndrejtorin dhe oficerin e policisë kufitare.

Kur anëtarët e organizatës së trafikut binin në rrjetat e institucioneve ligjzbatuese, ata i kishin marrë masat për të mbyllur dosjet në dyert e drejtësisë. Gjatë operacionit “Shpirti”, u prangos edhe ish prokurori Maksim Sota.

Nga bashkëpunëtori i drejtësisë Mariglen Shusha janë referuar rrethana të takimeve dhe bisedave të zhvilluara mes shefit të grupit kriminal Ilirian Duçellari dhe prokurorit Maksim Sota për problem të ndryshme me drjetësinë pasi prokurori ishte i angazhuar për ti zgjidhur këto probleme.

Prokurori italian: Bandat shqiptare janë përhapur në të gjithë botën

Një “shef” që pendohet, tonelata kanabisi të sekuestruara, një organizatë e fuqishme që shkatërrohet nga themelet. Operacioni “Shpirti” i finalizuar në Korrik 2021 nuk ishte i veçantë vetëm prej emrit.

Ilirian Zaimi Alias Duçellari, i njohur si “Lani” i Vlorës kishte depërtuar deri tek grupimet e fuqishme mafioze puljeze. Aksioni, goditi 4 grupe kriminale që realizonin operacione të përbashkëta trafiku rreth “Lanit”. Një strukturë me lidhje të fuqishme në polici dhe prokurori, lidhje të cilat do ti zbërthejmë përmes dosjeve italiane.

Plot 6 tonë kanabis me vlerë 55 milionë euro të sekuestruara dhe 38 të arrestuar në 4 shtete. Ky ishte akti i fundit i një beteje të nisur me operacionet “Shefi” në vitin 2018 dhe “Kulmi” në vitin 2020. Një seri operacionesh me mbi 100 të arrestuar që zbulon një prej linjave më të fuqishme të trafikut në 3 dekada. Një linjë e konsoliduar që konfirmon raportet e afërta të grupeve shqiptare me organizatat mafioze italiane.

“Unë jam angazhuar prej shumë vitesh me raportet mes grupeve shqiptare dhe organizatave puljeze. Ndjek këto çështje prej 15 vitesh, ndoshta edhe më shumë. Në fillim ishin raporte mjaft artizanale, më pas u zhvilluan përherë e më shumë sepse pati një rritje të organizatave shqiptare në botë, jo vetëm në Itali” u shpreh Francesco Giannett, prokuror i antimafias

Episodet që do të zbulojmë përmes dosjeve hetimore, bëjnë fjalë për vitet 2015, 2016 e në vijim kur në Shqipëri kultivimi i kanabisit mori përmasa masive.

Historia nis në 11 tetor të vitit 2015. Rreth orës 20:50, në vendin e quajtur “Ura e Katorisë”, tek Përroi i Cekodhimës në Pashaliman, u gjet një furgon i dyshimtë me dyert e hapura. Në një distancë prej 20 metrash nga furgoni, në breg të detit ishte një gomone me dy motorë të ndezur. Në mjetin lundrues qëndronte një person që u arratis me shpejtësi sapo pikasi policinë. Uniformat blu, nuk arritën dot të neutralizonin as personin e dytë që ndodhej në furgon.

“Në brendësi të gomones me mbishkrimin “TILI”, u gjetën dokumentet e skafit në emër të shtetasit Robert Myftari. Policia pa se në furgon dera e pasme ishte e hapur dhe e mbushur me lëndë narkotike e ngjashme me pakot e tjera të gjetura pas furgonit deri te gomonia”

Rezultoi se droga e sekuestruar në total shkonte në një sasi prej 808 kilogramësh kanabis sativa. Shteteasi Robert Myftari u arrestua disa muaj më vonë por çuditërisht, hetimet u pushuan. Prokuroria nuk gjeti dot lidhje mes furgonit të drogës dhe gomones me emrin e tij që e priste.

Prokurori i antimafias: Organizatat shqiptare raporte barazie me atë italiane

Në vitin 2017, u krijua një grup i përbashkët hetimor ndërmjet Prokurorisë për Krime të Rënda dhe Prokurorisë së Barit.

Goditja që zbuloi organizatën erdhi në 28 qershor 2018. Në një mjet tip rulo në Sarandë, u sekuestruan gati gjysmë tonë lëndë narkotike. Sasia e drogës ishte shpërndarë në 321 pako të presuara dhe 94 pako me natriban e përpunuar në formë çokollatë. Në pranga ra shoferi Italian Vito Baruçhelli, i njohur për përfshirjen në trafik droge dhe një grua që e shoqëronte.

Episodi i Sarandës, u bashkua në një dosje hetimore me rastin e Vlorës. Provat jepnin indicie se ishim përballë së njëjtës organizatë. Rasti zbuloi se shqiptarët tashmë nuk ishin thjesht transportuesit drejt Italisë. Ata, ishin bashkëpunëtorë të rëndësishëm të puljezëve.

“Në këtë moment raportet janë mjaft të ngushta. Nuk ka një raport varësie të njërit nga tjetri, por një raport aleance në një farë mënyre. Pulja është zona e parë e zbarkimit të ngarkesave të trafikut, sidomos marijuanës që vjen nga Shqipëria dhe një akord me organizatat puljeze është i nevojshëm” u shpreh Francesco Giannett, prokuror i antimafias

Gjatë hetimeve u arrestuan dhe u ngritës akuza për 46 të pandehur në Shqipëri dhe Itali. 4 nga të arrestuarit u kthyen në bashkëpunëtorë të drejtësisë. Në dëshmitë e tyre ata dhanë shpjegime në lidhje me episodin e parë, atë të vitit 2015 ku u sekuestruan 808 kg lëndë kanabis në Vlorë, në përpjekje për ta trafikuar drejt Italisë.

“Nga hetimet e kryera nga grupi i përbashkët hetimor u zbuluan të dhëna të reja se shtetasi Robert Myftari vepronte në kuadër të grupit të strukturuar kriminal që synonte trafikimin e lëndëve narkotike nga Shqipëria për në Itali”.

Prokurori i antimafias: Grupet puljeze pikë referimi për organizatat shqiptare

Dëshmitë dhe përgjimet permanente të strukturave hetimore zbuluan dhjetëra episode trafiku.

Në një rast u arrit të dokumentohej transportimi me gomone i një sasie prej 660 kilogramësh kanabis nga shtetasit Fiqiret Seferi dhe Ferhat Ajdini. Pronari i sasisë së drogës ishte Saimir Kurti, i vënë në pranga në kuadër të operaconit “SHPIRTI”. Në atë kohë, ai mbante detyrën e drejtorit të zyrës së Punës për Kavajën.

Përgjimet, zbuluan edhe rolin e shoqëruesit të ish ministrit të brendshëm Saimir Tahiri, shtetasit Hekuran Marku. Ai rezulton përgjegjës për trafikimin e së paku 1 ton kanabisi së bashku me Elton Bregasin i njohur me nofkën “Pinxho”. Këtu, fjala është vetëm për raste të dokumentuara me prova, pasi sasitë që kanë kaluar përmes rrugës detare janë disa herë më shumë.

Nga dokumentet e autoriteteteve italiane në kuadër të operacionit “Shefi”, u zbulua ekzistenca e dy grupeve, që bashkëpunonin në Shqipëri dhe Itali. Transportuesit kryesorë të trafikut ishin Fiqiret Seferi dhe Ferhat Ajdini të cilët u arrestuan së bashku me anëtarë të tjerë të grupit kriminal.

“Për sa i përket raporteve me klanet puljeze, kanë një rol të rëndësishëm, janë ata që shpërndajnë sasi të mëdha, por kanë nevojë për pika referimi në territor”, u shpreh Francesco Giannett, prokuror i antimafias.

Deklaratat e bëra nga bashkëpunëtorët e drejtësisë janë konfirmuar përmes provave materiale të siguruara. Këto dëshmi, çuan drejt zbulimit të plotë të skemës kriminale në kuadër të së cilës ka vepruar organizata. Në dosje dalin dhjetëra emra të tjerë porositësish shqiptarë dhe italianë. Droga e cila vinte nga Shqipëria ishte e destinuar kryesisht për rajonet e jugut të Italisë, si Kalabria dhe Siçilia.

Krahas kësaj, deklaratat e bëra konfirmuan pjesëmarrjen në këtë aktivitet kriminal të dy shtetasve të tjerë shqiptarë, të cilët së bashku me Pinxhon-n ishin pronarë të lëndëve narkotike, të njohur si Agustin Deda dhe Hekuran Marku, të cilët në atë kohë punonin si punonjës policie si truproja në eskortën e ministrit të Brendshëm, Sajmir Tahiri.