Vendosni fjalën kyçe....

Dyshohet se vunë qëllimisht zjarre në Fier, vihet në pranga një person, nën hetim një tjetër


Një përson është vënë në pranga, ndërsa një tjetër po hetohet  në gjendje të lirë, pasi dyshohet se vunë qëllimisht zjarre.

I arrestuari është 40-vjeçari me iniciale F. K., i cili dyshohet se ka ndezur zjarr për djegien e barërave në tokën e tij në Fier dhe si pasojë e përhapjes së flakëve, janë djegur sipërfaqe toke me shkurre e ullinj, në pronësi të të tjerëve.

Nën hetim është 60-vjeçari me inciale T. I., pasi në fshatin Ngreçan të Mallakastrës, ka ndezur zjarr për djegien e barërave në tokën e tij dhe si pasojë e përhapjes së flakëve, janë djegur sipërfaqe toke, në pronësi të personave të tjerë.

 

DVP Fier

Vihet në pranga 1 shtetas dhe procedohet penalisht 1 tjetër, autorë të dyshuar të 2 rasteve të zjarrvënieve.

Si rezultat i punës për parandalimin dhe goditjen e rasteve të zjarrvënieve të qëllimshme apo nga pakujdesia, si dhe për identifikimin dhe vënien përpara përgjegjësisë ligjore të autorëve të tyre, shërbimet e Policisë së Fierit kanë konstatuar dhe goditur 2 raste të kësaj veprimtarie të kundërligjshme.

-Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Fier arrestuan shtetasin F. K., 40 vjeç, banues në Zharrëz, pasi në kodrat e fshatit Kuman, ka ndezur zjarr për djegien e barërave në tokën e tij dhe si pasojë e përhapjes së flakëve, janë djegur edhe sipërfaqe toke me shkurre dhe me ullinj, në pronësi të shtetasve të tjerë.

-Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Mallakastër referuan materialet në Prokurori dhe nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin T. I., 60 vjeç, pasi në fshatin Ngreçan, Mallakastër, ka ndezur zjarr për djegien e barërave në tokën e tij dhe si pasojë e përhapjes së flakëve, janë djegur sipërfaqe toke me shkurre dhe barëra, në pronësi të shtetasve të tjerë.

Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.

Drejtoria Vendore e Policisë Fier apelon për të gjithë banorët, që në asnjë rast, të mos shkaktojnë zjarrvënie, pasi do të përballen me ligjin. Gjithashtu, fton qytetarët që të denoncojnë në numrin pa pagesë 112, çdo rast të zjarrvënies apo të paligjshmërive në tërësi, duke iu garantuar anonimatin, reagim të shpejtë dhe të paanshëm.