Vendosni fjalën kyçe....

Balla konfirmon mocionin në Kuvend për ‘McGonigal’ në 2 mars: Do komunikojmë disa të vërteta të mëdha


Kreu i grupi parlamentar të PS-së Taulant Balla, tha sot se shumica po përgatitet për mocionin me debat me kryeministrin të kërkuar nga opozita prej disa javësh lidhur me çështjen ‘McGonigal’.

Në një deklaratë për mediat, ai tha se Kuvendi është vend debate dhe se nuk mund të merret oeng për axhenda që s’kanë të bëjnë me të.

“Shpresoj dhe besoj se të gjithë partitë politike, grupet parlamentare, duhet të kuptojnë se Kuvendi është vend debati dhe foltorja nuk mund të merret peng për axhenda që nuk kanë të bëjnë me jetën e përditshme parlamentare. Çdo deputet duhet të përdorë foltoren për të folur, por nuk mund t’i mohohet askujt. Ditën e enjte në 2 mars, ne kemi përcaktuar me vendim të seancës së kuvendit, mbajtjen e një mocioni me debat. Besoj se të gjitha grupet parlamentare duhet të përgatiten më së miri për këtë debat. Po bëjmë përgatitjet tona. Besoj dhe shpresoj që mos të gjendemi me kërkesa të tjera procedurale që të pengojnë mbajtjen e këtij debati. Çdo deputet do ketë 10 minuta kohë në dispozicion. Mos harroni që këtu kemi të bëjmë me një bashkim të disa kërkesave. Ju e dini se rregullorja e Kuvendit, pavarësisht se është interpelancë, i bashkon në një debat të vetëm. 24 orë janë mjaftueshëm për këdo dhe grup parlamentar. Është opinioni publik ai që na gjykon. Grupi i PS-së mezi pret këtë seancë, për të komunikuar me publikun disa të verteta të mëdha.” – tha Balla.

Kërkesa për mocion me debat me kryeministrin Rama është bërë prej disa javësh nga opozita, gjë që ka çuar në tensione, debate e përjashtimin e dhjetëra deputetëve të PD-së.

Pavarësisht thirrjeve të opozitës, kryeministri Rama nuk ka qenë i pranishëm në seancë. Opozita e akuzon kryeministrin Rama seka korruptuar ish-zyrtarin e FBI-së Charles McGonigal për të asgjësuar opozitën në vend.

Akuzat janë hedhur poshtë me forcë nga kryeministri Rama e deputetët e PS-së.