Vendosni fjalën kyçe....

Kurti për takimin me Vuçiçin: Duhet t’i përmbahemi propozimit evropian dhe jo interesit të njërës palë


Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se nga takimi i 27 shkurtit me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiç, pret që të ketë diskutime mbi bazën e propozimit evropian, por tha se për gjërat e tjera nuk mund të flas tani “edhe për shkak se jo pak varet nga ndërmjetësuesit e dialogut”.

“Pas ditës së hënë do të dimë më shumë se çka e ku”, tha ai pas një ngjarje në Prishtinë.

I pyetur nëse në takimin e së hënës do të ketë diskutime për Asociacionin e komunave me shumicë serbe, Kurti tha se beson se duhet “t’i përmbahemi propozimit që kemi marrë, e jo interesit të njërës palë”.

Bashkimi Evropian ka thënë se temë e diskutimit në takimin e nivelit të lartë Kurti-Vuçiç do të jetë propozimi evropian për normalizimin e plotë të raporteve mes Kosovës dhe Serbisë.

Në pikën 10 të karakteristikave të propozimit evropian, të cilat Kurti i lexoi në Kuvendin e Kosovës më 13 shkurt, thuhet se “të gjitha marrëveshjet e Brukselit do të duhej të zbatoheshin nga palët”.

Kosova dhe Serbia më 2013 dhe 2015 kanë arritur marrëveshje për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë. Por, Gjykata Kushtetuese e Kosovës tha se marrëveshja e vitit 2015, nuk është plotësisht në harmoni me Kushtetutën, duke shtuar se të 23 pikat – që janë në kundërshtim me frymën e Kushtetutës – mund të harmonizohen.

BE-ja dhe Shtetet e Bashkuara kërkojnë nga Kosova që të zbatojë marrëveshjet për Asociacionin.

Kurti kundërshton themelimin e asociacionit njëetnik, me kompetenca ekzekutive. Ndërsa Serbia kërkon që Asociacioni të ketë kompetenca ekzekutive.