Vendosni fjalën kyçe....

Shkon në 33 mijë bilanci tragjik i tërmeteve në Turqi e Siri


Ka shkuar në rreth 33 mijë numri i viktimave nga tërmetet e së hënës së shkuar në Turqi e Siri. Në Turqi rraportohenn zyrtarisht 29 mijë e 65 viktima ndërsa Siria fqinje ka raportuar 3574 humbje jete. Ndërkohë numri të lënduarve është mbi 80 mijë në dy vendet.

Tërmetet e së hënës së kaluar me magnitudë 7.7 dhe 7.6, me qendër në provincën Kahramanmaras, prekën më shumë se 13 milionë njerëz në 10 provinca, duke përfshirë Adana, Adiyaman, Diyarbakir, Gaziantep, Hatay, Kilis, Malatya, Osmaniye dhe Sanliurfa.

Disa vende të rajonit, përfshirë Sirinë dhe Libanin, gjithashtu ndjenë lëkundjet e forta që goditën Turqinë në më pak se 10 orë.

Më shumë se 233,000 personel kërkimi e shpëtimi po punojnë aktualisht në terren, sipas Presidencës Turke të Menaxhimit të Fatkeqësive dhe Emergjencave (AFAD).

Pothuajse 148,000 njerëz janë evakuuar nga rajonet e goditura nga tërmeti deri më tani, tha AFAD.

Presidenti Rexhep Tajip Erdogan tha të premten se historia e Turqisë po sfidohet nga një nga fatkeqësitë më të mëdha të tërmetit në provincat jugore të vendit.

Parlamenti turk miratoi të enjten një gjendje të jashtëzakonshme tre mujore për të përshpejtuar përpjekjet e ndihmës dhe për të ruajtur rendin publik.