Vendosni fjalën kyçe....

Presidenti Biden: Balona kineze nuk ishte një shkelje e madhe e sigurisë – BBC


Lidhur me incidentin e balonës kineze, e cila shkeli hapësirën ajrore të SBA-së, dhe u godit më pas nga forcat ajrore të saj, reagoi edhe presidenti Biden, sipas BBC.

Biden ka thënë se nuk beson se balona e dyshuar e spiunazhit kinez që fluturoi mbi hapësirën ajrore amerikane ishte një shkelje e madhe e sigurisë.

Balona u rrëzua mbi Atlantik pasi kishte udhëtuar nëpër SHBA., por disa ligjvënës e kanë kritikuar presidentin se nuk e shkatërroi atë më shpejt.

Kjo nuk është një shkelje e madhe,” tha zoti Biden, duke shtuar se ishte “një shkelje e ligjit ndërkombëtar. Është hapësira jonë ajrore. Dhe sapo të vijë në hapësirën tonë, ne mund të bëjmë çfarë të duam me të”.

Ai tha se ushtria ishte e shqetësuar se shkatërrimi i balonës mbi tokë do t’i kishte vënë njerëzit në rrezik.

“Ata morën një vendim të mençur. Ata e qëlluan atë mbi ujë, ata po rikuperojnë shumicën e pjesëve dhe janë mirë,” tha ai.

Duke folur për BBC, Sekretarja e Shtypit e Shtëpisë së Bardhë, Karine Jean-Pierre tha se do të ishte e vështirë të thuhej se si SHBA mund të trajtojë një situatë tjetër si kjo.

“Sigurisht që nuk do të hyj në mënyrën se si komuniteti i inteligjencës ose Pentagoni ecën përpara me këtë program dhe se si e vlerësojnë ata,” tha ajo.

Të enjten, Dhoma e Përfaqësuesve miratoi një rezolutë jodetyruese që e quajti balonën një “shkelje të pacipë” të sovranitetit të SHBA-së, një veprim i hedhur poshtë nga Kina si “manipulim thjesht politik dhe hamendësim”.

“Kina është shumë e pakënaqur me këtë dhe e kundërshton me vendosmëri atë”, u tha gazetarëve të premten zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme Mao Ning.

Baloni hyri për herë të parë në hapësirën ajrore të SHBA-së më 28 janar mbi Alaskë dhe u rrëzua fundjavën e kaluar në brigjet e Karolinës së Jugut, ku pjesët e tij janë ende duke u shpëtuar nga marina amerikane.

Kina ka mohuar se baloni është përdorur për qëllime spiunazhi, duke thënë se ishte një pajisje moti e humbur.

Shtetet e Bashkuara, megjithatë, thanë se balona është pjesë e një flote balonash vëzhgimi që kanë fluturuar mbi pesë kontinente.

Incidenti me balonë ka tensionuar marrëdhëniet SHBA-Kinë, me Sekretarin e Shtetit Antony Blinken javën e kaluar që anuloi një udhëtim të planifikuar për në Pekin.

Do të ishte takimi i parë i nivelit të lartë i zyrtarëve amerikanë dhe kinezë atje në vite.

Kina tha se ka refuzuar gjithashtu një telefonatë nga Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Lloyd Austin, pasi SHBA rrëzoi balonën.