Vendosni fjalën kyçe....

Treni në SHBA që transportonte kimikate të rrezikshme del nga shinat, zhvendosen banorët (Video)


Një tren që transportonte kimikate të rrezikshme doli nga shinat në shtetin amerikan të Ohajos vonë të premten, duke shkaktuar një zjarr të madh dhe duke çuar në zhvendosjen e banorëve të zonës.

Rreth 10 vagonë nga 20 vagonët që dolën nga shinat, jo larg kufirit shtetëror me Pensilvaninë, ishin të ngarkuar me lëndë të rrezikshme, tha të shtunën Bordi Kombëtar i Sigurisë së Transportit (NTSB).

Nuk pati raportime për viktima apo të lënduar si pasojë e daljes nga shinat, por një zjarr i madh shpërtheu në vendin e ngjarjes, i cili vazhdoi të digjej deri të shtunën.

“Është një vatër aktive zjarri,” tha anëtari i bordit të NTSB, Michael Graham. Disa shpërthime u dëgjuan në vendin e përplasjes të shtunën, sipas raportimeve të mediave.

Zjarrfikësit në zonë u detyruan të punonin me kostume special pasi treni transportonte kimikate, ndër të tjera.

Sipas NTSB, dhjetë nga vagonët e dalë nga shinat përmbanin materiale të rrezikshme, duke përfshirë pesë që mbanin klorur vinili, një gaz pa ngjyrë që përdoret për të bërë tuba hidraulik dhe prodhime të tjera plastike. Instituti Kombëtar i Kancerit në SHBA paralajmëron se ekspozimi ndaj klorurit të vinilit lidhet me rrezikun e disa formave të kancerit.

Deri më tani, vetëm një sasi e vogël e klorurit të vinilit është lëshuar përmes pajisjeve speciale të çlirimit të presionit, të cilat janë vendosur në vagonët e trenave për të parandaluar shpërthimet, tha NTSB.

Agjencia për Mbrojtjen e Mjedisit të Ohajos i tha CNN se deri të shtunën në mbrëmje nuk kishte zbuluar ndonjë nivel të rrezikshëm të ndotjes së ajrit në zonën përreth rrëzimit. Ekspertët do qëndrojnë në vend ‘për aq kohë sa të jetë e nevojshme’, siguroi agjencia.

Zjarri i madh dhe kërcënimi i shpërthimeve kimike i shtynë autoritetet lokale të urdhërojnë zhvendosjen e banorëve që jetonin deri 1.6 km nga vendi i incidentit. Rreth 2,000 njerëz, afërsisht gjysma e popullsisë së zonës, duhej të largoheshin nga shtëpitë e tyre, ndërsa banorëve të mbetur u tha të qëndronin brenda.

()