Vendosni fjalën kyçe....

Ambasadori amerikan të heqë ‘duart e ndyra’ nga Turqia – Deklarata e ashpër e ministrit


Ministri i Brendshëm turk, Suleyman Soylu, akuzoi ambasadorin amerikan Jeffry Flake se po përpiqej të ‘ngatërrojë’ njerëzit në vendin pritës dhe i tha atij të hiqte ‘duart e tij të ndyra’ nga vendi.

Ai ka pohuar më parë se vendet perëndimore po bënin ‘luftë psikologjike’ për të minuar turizmin në Turqi.

Duke iu drejtuar ambasadorit aktual të SHBA Flake, Soylu pohoi: “Unë i drejtohem ambasadorit të SHBA nga këtu. Unë i di gazetarët që keni bërë të shkruajnë artikuj. Hiqini duart tuaja të pista nga Turqia. Unë jam shumë i qartë.”

“Po ju them shumë qartë, hiqni duart tuaja të ndyra nga Turqia. Unë e di qartë se çfarë keni bërë, çfarë hapash keni ndërmarrë dhe si dëshironi të ngatërroni Turqinë.” – tha ministri në një fjalim të premten.

Soylu pohoi se pyetjet e para që i janë bërë ‘çdo ambasadori të SHBA-së’ para se të mbërrinte në Turqi ishin ‘si mund të bëj një grusht shteti’ dhe ‘si mund ta dëmtoj Turqinë’. Ministri deklaroi gjithashtu se kombet evropiane ‘drejtoheshin’ nga diplomatë amerikanë.

Vërejtjet erdhën një ditë pasi SHBA-ja dhe disa vende të BE-së vendosën të mbyllin përkohësisht konsullatat e tyre në Stamboll për shkak të ‘konsideratave të sigurisë’.

Qeveritë e huaja gjithashtu këshilluan qytetarët e tyre që të shmangin pikat e nxehta turistike në Turqi, duke përmendur një kërcënim terrorist.

Ministri i Jashtëm turk Mevlut Cavusoglu tha se kombet e përfshira nuk arritën t’i përcjellin Ankarasë asnjë provë që do justifikonte mbylljet.

“Ata na thonë: ‘Ne kemi informacion konkret, ka një kërcënim. Kjo është arsyeja pse ne po i mbyllim. Nga kush erdhi? Ku? Kush do ta bëjë? Nuk ka asnjë informacion për këtë.” – tha Cavusoglu të enjten.

Diplomati i lartë e përshkroi masën si ‘të qëllimshme’ dhe ndoshta të krijuar për të vënë qeverinë në një ‘gjendje të vështirë’ përpara zgjedhjeve të përgjithshme të ardhshme.

Soylu shtoi se qeveritë perëndimore në fakt reaguan me ‘luftë psikologjike’ ndaj planeve turke për të nxitur turizmin në vend.

Veprimtaria e së premtes në Antalia, gjatë së cilës ministri i brendshëm sulmoi ambasadorin amerikan, iu kushtua çështjeve të emigracionit.

Në fjalimin e tij, Soylu akuzoi vendet perëndimore për përkeqësimin e problemit me të cilin përballet Ankaraja për shkak të migrimit masiv.

Në veçanti, ai shprehu shqetësimin për paqëndrueshmërinë në vendet fqinje të Irakut dhe Sirisë, ku ‘autoriteti shtetëror është zhdukur plotësisht’, sipas ministrit.