Vendosni fjalën kyçe....

Shtrihet në mbarë vendin operacioni për heqjen e kamerave të grupeve kriminale, hiqen në Mirditë, Lezhë e Dibër


Operacioni i nisur më 25 janar në Shkodër për heqjen  e kamerave të paligjshme, që dyshohet se janë vendosur nga grupet kriminale për të vëzhguar policinë e grupet rivale, ka vijuar ditët e fundit në mbarë vendin.

Në 24 orët e fundit policia ka çmontuar 79 kamera në Shkodër, Mirditë, Lezhë e Dibër.

Deri tani në mbarë vendin janë çmontuar mbi 400 kamera ndërsa më shumë se 70 persona janë nën hetim.

Kamerat në fjalë kontrollohen përmes celularit ndërsa serverat janë jashtë vendit e nuk janë sekuestruar ende.

Njoftimi

“Vijon zbatimi i planit operacional policor, mbarëkombëtar, të koduar “Fijet”, i iniciuar nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit. Gjatë 24 orëve të fundit, Policia ka çmontuar dhe sekuestruar dhjetëra kamera të tjera që ishin vendosur në kundërshtim me ligjin, në disa qarqe të vendit, si dhe janë iniciuar hetime të thelluara për disa shtetas, për veprën penale “Ndërhyrje të padrejta në jetën private”. -Në qarkun Shkodër, në vijim të fazës së dytë, Policia ka çmontuar 20 kamera të vendosura në kundërshtim me ligjin. Deri tani, në këtë qark janë sekuestruar në total 79 kamera. -Në qarkun Lezhë, gjatë fazës së njëmbëdhjetë të planit operacional policor të koduar “Fijet”, Policia ka çmontuar dhe sekuestruar 9 kamera të vendosura në kundërshtim me ligjin, në Mirditë dhe në Zejmen, Lezhë.

Për 4 kamerat e instaluara në Zejmen, Lezhë, është inicuar hetimi për 1 shtetase. -Në qarkun Dibër, në vijim të fazës së shtatë të këtij plani operacional, në qytetin e Peshkopisë, Policia ka çmontuar dhe sekuestruar 5 kamera. Në hetim për ndërhyrje të padrejta në jetën private, 3 shtetas. Deri tani, në këtë qark, janë çmontuar dhe sekuestruar në total 6 kamera dhe janë iniciuar hetime të thelluara për 4 shtetas. Vijon puna hetimore, në bashkëpunim me prokuroritë respektive, për dokumentimin e plotë ligjor të qëllimit të përdorimit të kamerave të vendosura në kundërshtim me ligjin.”