Kryesuesi amerikan i naftës ExxonMobil nxorri 55.7 miliardë dollarë fitime vitin e kaluar, bëri të ditur kompania të martën.
Shifra ishte një nivel i ri për Exxon, rekordi i mëparshëm i të cilit ishte 45.2 miliardë dollarë në vitin 2008, kur një fuçi nafte kushtonte afër 150 dollarë, rreth 30% më i lartë mesatarisht se në vitin 2022.
Sipas shefit të kompanisë, Darren Woods, fitimet u rritën pas rikuperimit të kërkesës për karburant pas pandemisë Covid-19 mes kufizimeve të furnizimit me energji.
“Ndërsa rezultatet tona përfituan qartë nga një treg i favorshëm, investimet kundërciklike që bëmë para dhe gjatë pandemisë siguruan energjinë dhe produktet e nevojshme për njerëzit pasi ekonomitë filluan të rimëkëmbeshin dhe furnizimet u ngushtuan.” – tha Woods.
Prodhimi i kompanisë u rrit gjithashtu me rreth 100,000 fuçi nafte dhe gazi në ditë (bpd) kundrejt vitit 2021, duke shkuar në 3.8 milionë bpd.
Fitimet e Exxon besohet të jenë një rekord i lartë për industrinë perëndimore të naftës, megjithëse kompanitë e tjera kryesore BP, Chevron, Shell dhe TotalEnergies ende nuk i kanë publikuar rezultatet e tyre të vitit 2022.
Sipas një përllogaritjeje të fundit nga analistë të Refinitiv, pesë kompanite gjigante pritet të raportojnë një fitim të kombinuar prej afro 200 miliardë dollarësh për vitin 2022 pas rritjeve të çmimeve të energjisë vitin e kaluar.