Vendosni fjalën kyçe....

PD zbulon rrugën e regjistrimit në zgjedhjet e 14 majit, Ivi Kaso: KQZ vendosi precedent në zgjedhjet e vitit 2019


Për Partinë Demokratike të drejtuar nga Sali Berisha çështja në apel për legjitimitetin e statutit dhe organeve të partisë nuk përbën pengesë për t’u regjistruar nga KQZ si subjekt zgjedhor.

Sekretari për Zgjedhjet Ivi Kaso deklaroi në emisionin ‘Pa Censurë’, se ka një precedent të 4 viteve më parë në KQZ për regjistrimin në zgjedhjet lokale të partisë së re Bindja Demokratike.

“Në vitin 2019, Bindja Demokratike ka patur një situatë shumë të ngjashme nga pikëpamja proceduriale dhe e regjistrimit me situatën në të cilën i paraqitet sot KQZ-së. Jurisprudenca e vendosur nga KQZ-ja ka kaluar testin e Kolegjit Zgjedhor, të Gjykatës Kushtetuese. Situata është krejt analoge. Kemi patur një subjekt, që ka patur një vendim gykate për regjistrim dhe të nesërmen e marrjes së zbardhur të këtij vendimi, por pa kaluar afati përfundimtar ankimor ndaj këtij vendimi dhe pa u regjistruar ky vendim në regjistrin e partive politike, ia ka paraqitur KQZ-së.

Atëherë KQZ-ja verifikoi faktin se kemi të bëjmë me një vendim gjyqësor, i cili sanksionon se kush janë organet drejtuese të një partie politike dhe kush ka tagrat e përfaqësimit të partisë politike dhe ka vlerësuar se plotësimi i elementit formal, pra i pasqyrimit të këtij vendimi në regjistrin e partive politike nuk ishte aq i rëndësishëm në raport me interesin e subjektit për të garuar në zgjedhje me të gjithë potencialin e vet. Kur flas për potencial i referohem siglës, vulës etj. Ne i kërkojmë institucioneve vetem një gjë, të respektojnë ligjin dhe precedentët që ata vetë kanë krijuar.” – u shpreh Sekretari për Zgjedhjet në PD, Ivi Kaso për RTSH.