Vendosni fjalën kyçe....

Italia zbulon afatin kohor për shkëputjen nga gazi rus


Italia do i japë fund plotësisht varësisë së saj nga gazi rus në dimrin e 2024-2025, njoftoi të hënën kreu i gjigantit shtetëror të energjisë ‘Eni’, Claudio Descalzi.

Duke folur gjatë një vizite të kryeministres italiane Giorgia Meloni në Algjeri, ai konfirmoi se Roma po shtyn për zgjerimin e mëtejshëm të bashkëpunimit me vendin afrikano-verior si pjesë e planit ‘për të hequr qafe’ gazin rus.

Descalzi vuri në dukje se dy vjet më parë, Algjeria furnizoi Italinë me rreth 21 miliardë metra kub (bcm) gaz natyror. Tani numrat janë rritur në 25 bcm dhe vitin e ardhshëm, Roma planifikon të rrisë importet e gazit nga vendi afrikan në 28 bcm. Kreu i grupit të energjisë tha se shifrat do rriten edhe më shumë në vitin 2024 e 2025, duke shtuar se ‘ne përditësojmë çdo vit marrëveshjet për vëllimet’.

Më herët, Descalzi pretendoi se Italia do heqë dalëngadalë deri në 80% të gazit rus, ose rreth 17.6 bcm, në vitin 2023.

Pritet që gjatë vizitës së tanishme, ‘Eni’ dhe kompania shtetërore e Algjerisë ‘Sonatrach’ të nënshkruajnë një marrëveshje për zgjerimin e dërgesave të gazit në Romë. Sipas disa mediave, vëllimet e furnizimeve me energji mund të rriten në 35 bcm në vit.

Tetorin e kaluar, Eni raportoi se gazi rus përbënte vetëm rreth 10% të importeve të Italisë. Për të diversifikuar furnizimet, qeveria dhe Eni ranë dakord të rrisin importet nga vendet afrikane dhe sipas të dhënave zyrtare, Italia tani importon dy herë më shumë gaz nga Algjeria sesa nga Rusia.