Vendosni fjalën kyçe....

CNN/ Ish-zyrtari i lartë i FBI-së akuzohet se u përpoq të ndihmojë oligarkun rus dhe fshehjen e pagesave nga ish-punonjësi i inteligjencës shqiptare


Ish-kreu i Kundërzbulimit për zyrën në terren të FBI-së në Nju Jork u akuzua në dy aktakuza të veçanta të hënën për gjoja se kishte punuar me një oligark rus të sanksionuar pasi ai doli në pension dhe fshehu qindra mijëra dollarë që mori nga një ish-punonjës i një agjencie të inteligjencës shqiptare, ndërsa ai ishte zyrtar i lartë në byro.

Charles McGonigal, një veteran 22-vjeçar i FBI-së deri sa doli në pension në 2018, u arrestua të shtunën në ‘Aeroportin Ndërkombëtar John F. Kennedy’ të shtunën kur kthehej nga një udhëtim ndërkombëtar, thotë një burim i njohur me arrestimin për CNN.

Akuzat, të shpallura nga zyrat e prokurorëve amerikanë në Distriktin Jugor të Nju Jorkut dhe Uashington, DC, shënojnë një rënie dramatike për McGonigal. Ai pritet të paraqitet në gjykatën federale në Manhatan mbrëmjen e së hënës.

Avokati i tij tha se ai do deklarohet i pafajshëm për akuzat.

McGonigal po përballet me akuza në Nju Jork për shkelje të sanksioneve të SHBA-së, komplot dhe akuza për pastrim parash për bashkëpunimin në vitin 2021 me Oleg Deripaska, një oligark rus i cili u sanksionua për ndërhyrje në zgjedhjet presidenciale të SHBA-së në vitin 2016.

Prokurorët pretendojnë se McGonigal dhe Sergey Shestakov, një ish-diplomat rus, i cili së fundmi ka punuar si përkthyes në Gjykatat Federale të Nju Jorkut në Manhattan dhe Brooklyn, kanë shkelur sanksionet e SHBA-së.

Në Uashington, McGonigal akuzohet për fshehjen e lidhjeve që kishte me personin që dekada më parë ka punuar për një agjenci të inteligjencës shqiptare, duke përfshirë marrjen e 225,000 dollarëve në pagesa.

Prokurorët pretendojnë se McGonigal, si një punonjës i FBI-së, duhej të zbulonte udhëtimet jashtë shtetit dhe kontaktet me shtetas të huaj, gjë që ai dështoi ta bënte.

Gjatë disa udhëtimeve jashtë shtetit në Shqipëri, Austri dhe Gjermani, prokurorët pretendojnë se McGonigal dështoi të zbulonte në formularët e qeverisë amerikane se ai u takua me kryeministrin e Shqipërisë, një politikan nga Kosova dhe të tjerë.

Prokurorët pretendojnë se në një takim, McGonigal i kërkoi kryeministrit të Shqipërisë që të jetë ‘i kujdesshëm në lidhje me dhënien e licencave për shpimin e naftës në Shqipëri për kompanitë ruse’. Ish-punonjësi i inteligjencës shqiptare që i pagoi 225 mijë dollarë kishte interes financiar në vendimin e qeverisë për kontratat.

Një nga pagesat në para, 80,000 dollarë, dyshohet se iu dha McGonigal-it ndërsa ai ishte ulur në një makinë të parkuar jashtë një restoranti në Nju Jork.

Nën drejtimin e McGonigal, FBI hapi një hetim mbi përpjekjet e lobimit të huaj të një shtetasi amerikan bazuar në informacionin që ai mori nga ish-punonjësi i inteligjencës shqiptare, sipas aktakuzës. McGonigal nuk e zbuloi kurrë marrëdhënien e tij financiare.

Akuzat jashtë Nju Jorkut pretendojnë se McGonigal u takua për herë të parë me përkthyesin rus, Shestakov, në vitin 2018 ndërsa ishte në FBI nëpërmjet një oficeri të inteligjencës ruse, i njohur si diplomat më parë për Ministrinë e Punëve të Jashtme për Bashkimin Sovjetik dhe Federatën Ruse.

Pasi u tërhoq nga FBI në vitin 2018, McGonigal u soll si konsulent për një firmë ligjore në Nju Jork që punonte mbi sanksionet e Deripaskës, thuhet në dosjen gjyqësore.

McGonigal udhëtoi në Londër dhe Vjenë rreth vitit 2019 për t’u takuar me Deripaska-n dhe të tjerë për të ‘fshirë’ oligarkun rus nga lista e sanksioneve të SHBA-së.

Në vitin 2021, ata dyshohet se hoqën firmën ligjore nga fotografia dhe McGonigal dhe Shestakov punuan drejtpërdrejt për Deripaska-n.

Ish-agjenti i FBI-së dhe Shestakov u përpoqën të fshehin përfshirjen e tyre me Deripaska-n, duke përdorur kompani guaskë dhe nënshkrime të falsifikuara për të marrë pagesa nga oligarku rus.

Në vitin 2021, McGonigal dyshohet se po punonte për të marrë dosje nga ‘rrjeti i errët’ për Deripaska-n, të cilat ai tha se mund të zbulonin ‘asetet e fshehura me vlerë më shumë se 500 milionë dollarë amerikanë’ dhe informacione të tjera që McGonigal besonte se do të ishin të vlefshme për Deripaska-n.

Kjo përpjekje u ndërpre papritmas kur FBI-ja sekuestroi pajisjet e tyre elektronike personale në nëntor të atij viti.

Shestakov përballet me akuzën e deklaratave të rreme për përpjekjen për të fshehur marrëdhënien e tij me ish-agjentin e FBI-së gjatë një interviste me agjentët e FBI-së pas ekzekutimit të urdhrit të kërkimit.

Deripaska, një aleat i Putinit, u sanksionua nga SHBA në vitin 2018 në përgjigje të ndërhyrjes ruse në zgjedhjet e vitit 2016 dhe u akuzua për shkelje të sanksioneve amerikane në shtator.

Ai është një nga oligarkët më të njohur në Rusi dhe emri i tij doli gjatë hetimit Trump-Rusi. Ai u përmend dhjetëra herë në raportin e këshilltarit special Robert Mueller, i cili thotë se ai është ‘në një linjë të ngushtë’ me Putinin.

VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e CNN