Vendosni fjalën kyçe....

“Shpresa jonë është që PD-ja të përfaqësojë sërish të ardhmen. Të tërheqë Shqipërinë para, jo pas” – Kim


Ambasadorja amerikane ka komentuar mbrëmjen e sotme atë që po ndodh në Partinë Demokratike.

Kim tha në Real Story në Report Tv, se janë mbështetësit dhe votuesit shqiptarë që duhet të vendosin se çfarë ndodh në selinë blu teksa shtoi se SHBA-ja kishte bërë shpalljen non grata në përputhje me interesin e saj kombëtar.

Përfaqësuesja e Uashingtonit në Tiranë tha gjithashtu se shpresonte që PD-ja të jetë në gjendje të përfaqësojë sërish të ardhmen, të jetë e aftë që të tërheqë Shqipërinë përpara e jo ta kthejë pas.

“Ky është një vendim që partia dhe mbështetësit e saj, dhe në fund votuesit shqiptarë, duhet të marrin. Nuk mund t’i marrim ne vendimet për ta. Ne e kemi bërë shpalljen (non-grata) në përputhje me interesin tonë kombëtar. Populli shqiptar, udhëheqësit shqiptarë duhet të marrin vendimin e tyre bazuar në atë që është në interesin kombëtar të Shqipërisë. Kemi opinionin tonë dhe e kemi ofruar atë, i cili është që duhet të ecni përpara. Një nga gjërat për të cilat mendoj se të gjithë biem në një mendje është që në një demokraci, roli i opozitës është jashtëzakonisht i rëndësishëm. Duhet të keni opozitë të vërtetë që jo vetëm ka ide dhe udhëheqësi, por që në fakt është e aftë të fitojë zgjedhje. Kështu që, anëtarët e Partisë Demokratike duhet të mendojnë për këtë pyetje dhe do duhet të marrin vendimin e tyre. Shpresa jonë është që Partia Demokratike do të përfaqësojë përsëri të ardhmen, do të jetë përsëri forca që do të jetë e aftë ta tërheqë Shqipërinë përpara, ta drejtojë përpara, jo pas.” – tha Kim.