Vendosni fjalën kyçe....

Shteti i BE-së do rifusë rekrutimin e civilëve


Qeveria suedeze ka në plan të rifusë shërbimin e rekrutimit civil në vend, njoftoi kryeministri Ulf Kristersson gjatë një konference për shtyp, duke shtuar se Agjencia e Kontigjencave Civile (MSB) do urdhërohet të përgatisë masën më vonë këtë javë.

Sipas ministrit të Mbrojtjes Civile, Carl-Oskar Bohlin, hapi i parë do jetë dërgimi i njerëzve me aftësitë e duhura në shërbimet komunale të shpëtimit për të kryer shërbimin civil atje. Ai vuri në dukje se deri në 3,000 rekrutë mund të bëhen pjesë e kësaj vale të parë, por theksoi gjatë një takimi të MSB-së javën e kaluar se hollësitë ende nuk janë sqaruar.

“Përvoja nga Ukraina është e qartë, kur bëhet fjalë për mbrojtjen e popullatës civile, shërbimet e urgjencës vihen nën presion shumë të madh.” – tha ai.

Shërbimi i detyrueshëm civil fillimisht u braktis në Suedi në vitin 2008. MSB-ja do ketë kohë deri më 1 mars për të përgatitur aktivizimin e detyrës civile, tha ministri.

Ai shtoi se qeveria suedeze shpreson ta rikrijojë atë në një shkallë shumë më të madhe se më parë dhe deklaroi se të thirrurit për shërbim do u nënshtrohen stërvitjeve shtesë për kryerjen e operacioneve të shpëtimit në kushte ushtarake.

Suedia ringjalli rekrutimin e saj ushtarak në vitin 2017, duke përmendur veprimtarinë ushtarake ruse si një nga arsyet.