Vendosni fjalën kyçe....

Pentagoni thotë se ushtria ruse nuk i hap telefonin


Udhëheqësit ushtarakë amerikanë thonë se nuk kanë pasur asnjë komunikim me homologët e tyre në Moskë që nga fillimi i operacionit ushtarak të Rusisë në Ukrainë.

Deklarata u bë të enjten nga sekretari amerikan i Mbrojtjes Lloyd Austin në një seancë dëgjimore të Komitetit të Shërbimeve të Armatosura të Senatit.

“Si kryetari dhe unë vetë kemi kontaktuar shpesh me homologët tanë në Rusi për t’u përpjekur të sigurojmë që ne të mbajmë një dialog. Komunikimi i fundit është që nga mesi i shkurtit.”– shpjegoi ai sipas RT-së. Kur thotë kryetari, ai e ka fjalën për gjeneralin Mark Milley, i cili është kryetar i Shefave të Përbashkët të Shtabit.

“Kjo nuk ka qenë shumë e suksesshme sepse rusët nuk janë përgjigjur.”– shtoi Austin.

Ndërsa shefi i Pentagonit tha se ishte “i zhgënjyer” nga kjo, ai shtoi: “Kjo nuk do të thotë se ne do të ndalojmë së kontaktuari me ta. Mendoj se duhet të kemi aftësinë për të folur me lidershipin.”

Austin ishte thirrur në Senat për t’iu përgjigjur pyetjeve në lidhje me buxhetin e kërkuar të Pentagonit për vitin 2023, më i madhi në historinë e SHBA-ve.

Kujtojmë se në një konferencë shtypi më 30 mars, zëdhënësi i Pentagonit, John Kirby pranoi se nuk kishte pasur “asnjë bisedë” me ushtrinë ruse, por deklaroi një “gatishmëri për të pasur ato diskutime“, pasi një gazetar pyeti nëse Uashingtoni kishte qenë “në kontakt” me udhëheqjen ushtarake të Rusisë.

“Por kjo është një rrugë me dy drejtime. Rusët duhet të jenë të gatshëm të hapin telefonin dhe deri më tani ata nuk kanë qenë të gatshëm ta bëjnë këtë.”- shtoi Kirby.