Vendosni fjalën kyçe....

Çudia e ekspertit Karamuço – Është krushk me Arben Ahmetajn dhe viktimë e pastrueses Dobi


Grabitja e bujshme e shtëpisë së Alda Klosit, ish-shefes së kabinetit të Arben Ahmetajt, ka zbuluar edhe një aspekt tjetër interesant me konfliktin arbitrar të interesit të personave që paraqiten në studiot televizive si ekspertë të pavarur.

Rasti ndoshta më flagrant është ai i ekspertit Ervin Karamuço, i cili rezulton lidhje krushqie me Arben Ahmetajn (bashkëshortja e tij me bashkëshorten e Ahmetajt janë vajza tezesh) dhe për me tepër policia ka verifikuar se Karamuço ka pasur të njëjtën pastruese me Alda Klosin, të famshmen Rozeta Dobi.

Hashtag.al ka mësuar se çifti Karamuço është marrë në pyetje nga policia dhe ka pranuar vetëm grabitjen e disa bizhuve të personalizuara, ndërkohë që ka mohuar kategorikisht vjedhje parash.

Ndërkohë Karamuço ka bërë të paktën dy dalje televizive, në Euronews dhe Top News ku ka folur, dhe me të vetën edhe ka analizuar nga pozitat e një eksperti dhe profesionisti të paanashëm grabitësen e shtëpisë së vet dhe të sekretares së Përgjithshme të krushkut.

Nuk ka asgjë të keqe që zoti Karamuço të analizojë edhe grabitësen e shtëpisë së vet apo të analizojë edhe pozicionin ligjor të sekretares së Përgjithshme të krushkut, por ai ka detyrimin absolut të bëjë të ditur botërisht rrethanat personale që e lidhin me këtë ngjarje dhe me këtë histori, për t’u çliruar nga çdo konflikt interesi në raport me publikun.

Kjo situatë e çuditshme e zotit Karamuço të kujton pakëz episodin e detektivit të famshëm Sherlok Holmes, i cili konstatoi se qeni nuk kishte lehur pasi  kishte ndodhur një ngjarje. Detektivi Sherlok Holmes arsyetoi se derisa qeni nuk kishte lehur gjatë natës, atëherë autori i ngjarjes duhet të ishte i zoti i qenit.

Duket se z. Karamuço, e ka tejkaluar fabulën e Sherlok Holmsit, pasi në polici ai ka deklaruar sendet e grabitura, ndërsa në studio televizive ai shfaqet sikur nuk e njeh personalisht autoren e grabitjes. /Hashtag.al