Vendosni fjalën kyçe....

Autoriteti i Konkurrencës: Vodafone ka abuzuar me pozitën dominuese për thirrjet ndërkombëtare


Autoriteti i Konkurrencës e ka gjetur në kushte abuzuese kompaninë telefonike Vodafone Albania për shërbimin e tregut me shumicë të thirrjeve ndërkombëtare.

Pas hetimit të thelluar Komisioni i Konkurrencës vendosi konstatimin e abuzimit me pozitën dominuese dhe detyrimin e ndërmarrjes që mos përdorë çmime të padrejta apo kufizim të prodhimit ose zhvillimit teknik.

Vendimi:

Komisioni i Konkurrencës, në mbledhjen e datës 28.12.2022, mori në shqyrtim raportin e hetimit të thelluar ndaj ndërmarrjes Vodafone Albania SHA në tregun e shërbimeve celulare: tregu me shumicë i terminimit të thirrjeve ndërkombëtare dhe dhënien e disa detyrimeve.

Në përfundim të procedurës së hetimit të thelluar, Komisioni i Konkurrencës, me Vendimin Nr. 952, datë 28.12.2022 vendosi:

I. Konstatimin e abuzimit me pozitën dominuese të ndërmarrjes Vodafone Albania SHA në tregun e shërbimeve celulare: tregu me shumicë i terminimit të thirrjeve ndërkombëtare.

Detyrimin e ndërmarrjes Vodafone Albania SHA të mos përdorë në asnjë rast elementët e mëposhtëm:

a) vendosjen, në mënyrë të drejtpërdrejtë ose të tërthortë, e çmimeve të padrejta të blerjes ose shitjes apo e kushteve të tjera të padrejta të tregtimit;

b) kufizimin e prodhimit, tregjeve ose zhvillimit teknik;

c) zbatimin e kushteve të pabarabarta për veprime tregtare të njëjta me palët, duke i vendosur ato në gjendje të pafavorshme konkurrence;

d) vendosjen e kushteve për lidhjen e kontratave me palët e tjera, që këto të fundit të pranojnë detyrime shtesë, të cilat, për vetë natyrën e tyre ose sipas praktikave tregtare, nuk kanë lidhje me objektin e kontratave në fjalë.

III. Mbylljen e procedurës së hetimit të thelluar ndaj ndërmarrjes Vodafone Albania SHA në tregun e shërbimeve celulare: tregu me shumicë i terminimit të thirrjeve ndërkombëtare.