Vendosni fjalën kyçe....

Tensionet në Kosovë/ Meta: Situatë e provokuar nga Beogradi zyrtar


Kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta ka reaguar në lidhje me tensionet në Veri të Kosovës, ku Serbia ka ngritur në nivelin më të lartë gatishmërinë e trupave të saj.

Në një postim në Facebook, Meta thotë se situata është provokuar nga Beogradi.

“Situata në Kosovë është e provokuar nga Beogradi zyrtar përmes mbështetjes, frymëzimit dhe financimit të strukturave kriminale serbe në Veri të Kosovës. Kërcënimi i vetëm për qytetarët e Veriut të Kosovës dhe në veçanti për qytetarët serbë janë pikërisht këto banda, përgjegjësia e të cilave është e Beogradit, që i aktivizon sa herë që do të krijojë tensione artificiale. Kjo nuk është një betejë e Beogradit për të drejtat e qytetarëve serbë në Veri të Kosovës, por një shërbim ndaj regjimit të Rusisë me qëllim për të shpërndarë vëmendjen nga krimet që po ndodhin në Ukrainë.”- shkruan Meta. Ai ndan edhe një video nga një pjesë e një interviste të tij për mediet.

“Qytetarët serbë në Kosovë gëzojnë të drejta që kurrë nuk do t’i gëzonin në Serbi. Askush nuk do t’u kushtonte atyre aq shumë vëmendje dhe aq shumë mbështetje nuk do t’u jepej në Serbi, për shkak të diskriminimit shumë pozitiv që garanton Kushtetuta e Kosovës. Kjo nuk është një betejë e Beogradit për të drejtat e tyre, por është vazhdim i politikave të vjetra të Millosheviçit për ekspasion, për të mos njohur atë realitet që ka ndodhur.”– dëgjohet të thotë Meta në këtë video.