Vendosni fjalën kyçe....

Vdes në rrethana të dyshimta deputeti rus në Indi


Një deputet rus nga rajoni i Vladimirit, Pavel Antov, vdiq të hënën, ndërsa po vizitonte Indinë si turist, kanë raportuar mediat ruse dhe indiane. Rrethanat e vdekjes së tij janë ende duke u hetuar.

Vdekja e Antov u konfirmua nga nënkryetari i parlamentit të rajonit Vladimir, Vyacheslav Kartukhin. Ai nuk ka dhënë asnjë hollësi për ngjarjen, të cilën e ka cilësuar vetëm si ‘rrethana tragjike’. Kartukhin gjithashtu iu referua Antovit si një ‘biznesmen i suksesshëm e filantrop’. Deputeti i ndjerë ishte anëtar i partisë ‘Rusia e Bashkuar’, forca më e madhe politike e vendit.

Sipas NDTV të Indisë, 65-vjeçari u gjet i shtrirë në një pellg gjaku jashtë një hoteli në qytetin lindor indian të Rayagada të shtunën e kaluar. Ai po udhëtonte me një grup turistik prej katër anëtarësh dhe kishte hyrë në hotel të mërkurën e kaluar.

Një oficer i lartë i policisë i tha NDTV se vdekja e Antov mund të ishte vetëvrasje. Policia tha gjithashtu se po hetonte të gjitha versionet e mundshme të incidentit, përfshirë edhe aksidentin. Sipas oficerit të policisë, burri ishte ‘në depresion për shkak të vdekjes së shokut të tij’.

Një tjetër turist rus, Vladimir Bydanov, 61 vjeç, vdiq në të njëjtin hotel javën e kaluar. Sipas konsullit të përgjithshëm rus në Indi, Aleksey Idamkin, Bydanov pësoi atak në zemër.

“Policia nuk sheh asnjë aspekt kriminal në këto ngjarje tragjike.” – tha diplomati.

Disa media ruse gjithashtu iu referuan Bydanov, i cili ishte një biznesmen nga republika qendrore ruse Mari El, si ‘miku’ i Antov. Dy burrat raportohet se po udhëtonin së bashku.