Vendosni fjalën kyçe....

Ukraina feston Krishtlindjet në luftë, mesazhi i presidentit Zelensky: “Liria ka një çmim të lartë”


Ndërsa vendi i tij feston Krishtlindjet në luftë, presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky në mesazhin e tij për festën i ka kërkuar popullit të tij që të ngulmojë përballë sulmeve ruse.

“Liria ka një çmim të lartë. Por skllavëria ka një çmim edhe më të lartë.”– tha ai sipas BBC-së.

Sulmet me raketa dhe dron të Rusisë kanë lënë miliona ukrainas pa energji, ngrohje dhe ujë të rrjedhshëm.

Zyrtarët ukrainas thanë më herët të shtunën, se sulmet ajrore ruse vranë 10 persona në qytetin jugor të Khersonit.

Autoritetet rajonale thanë se 68 persona të tjerë u plagosën dhe u bënë thirrje banorëve vendas që të dhurojnë urgjentisht gjak.

Duke e përshkruar Rusinë si një “vend terrorist“, Zelensky akuzoi trupat ruse për “vrasje për hir të frikësimit dhe kënaqësisë”.

Në një postim në rrjetet sociale, ai tregoi foto të rrugëve të shpërndara me trupa dhe makina të djegura, duke thënë se “bota duhet të shohë dhe të kuptojë se me çfarë të keqeje absolute po luftojmë”.

Kherson, i vetmi kryeqytet rajonal i pushtuar nga Rusia që kur nisi pushtimin e saj të plotë më 24 shkurt, u çlirua nga Ukraina muajin e kaluar.

Që atëherë, ajo ka qenë shpesh në shënjestër nga forcat ruse të pozicionuara në bregun e majtë (lindor) të lumit Dnipro.

Moska ka mohuar në mënyrë të përsëritur të ketë shënjestruar civilët në sulmet e saj. Megjithatë, presidenti Vladimir Putin ka pranuar së fundmi se trupat ruse kanë goditur objektet kritike energjetike të Ukrainës.

Shumica e ukrainasve janë të krishterë ortodoksë dhe shënojnë natën e Krishtlindjes – ditën kryesore të sezonit festiv në vend – më 6 janar.

Megjithatë, një numër në rritje i adhuruesve e kanë festuar ditën më 24 dhjetor, në përputhje me shumicën e të krishterëve në mbarë botën.

Në një fjalim me video drejtuar kombit të shtunën vonë, Zelensky tha: “Ne duruam në fillim të luftës. Ne duruam sulmet, kërcënimet, shantazhet bërthamore, terrorin, sulmet me raketa. Le të durojmë këtë dimër sepse ne e dimë se çfarë për po luftojmë.”

“Ne do të festojmë festat tona! Si gjithmonë. Ne do të buzëqeshim dhe do të jemi të lumtur. Si gjithmonë. Ndryshimi është një. Nuk do të presim për një mrekulli. Në fund të fundit, ne e krijojmë vetë.”