Vendosni fjalën kyçe....

Themeluesi i FTX lirohet me kusht pasi pagoi garancinë 250 milionë dollarë


Sam Bankman-Fried, njeriu i akuzuar për mashtrimin e investitorëve të kriptomonedhave në vlera rreth 2 miliardë dollarë, do presë gjyqin në shtëpinë e prindërve të tij në Kaliforni, në vend që të qëndrojë në burg në Nju Jork, pasi një gjykatës në Manhattan ra dakord të lirojë themeluesin e FTX pasi ai pagoi një garanci prej 250 milionë dollarësh.

Bankman-Fried, i cili u rendit si dhuruesi i dytë më i madh në fushatat politike të Partisë Demokratike në vitin 2022, u largua nga Gjykata e Qarkut të SHBA në Manhatan të enjten pasdite, i rrethuar nga marshallët amerikanë, avokatët dhe prindërit e tij. Garancia prej 250 milionë dollarësh, e cila është ndër më të lartat në historinë e gjykatës federale, thuhet se u sigurua nga prindërit e sipërmarrësit 30-vjeçar.

Bankman-Fried akuzohet nga prokurorët se ka kryer ‘një nga mashtrimet më të mëdha financiare në historinë amerikane’. Ai u ekstradua nga Bahamas të mërkurën në mbrëmje dhe bëri paraqitjen e tij të parë në gjykatë të enjten.

Biznesmeni përballet me tetë akuza të rënda penale, duke përfshirë mashtrimin, mashtrimin me letra me vlerë, pastrimin e parave dhe shkeljet e financimit të fushatës. Nëse shpallet fajtor për të gjitha akuzat, ai mund të dënohet deri në 115 vjet burg.

Ndihmësprokurori i SHBA-së, Nick Roos, argumentoi se Bankman-Fried kreu një mashtrim të ‘përmasave epike’, por duke pasur parasysh se ai pranoi vullnetarisht ekstradimin dhe humbi shumicën e aseteve të tij, rreziku për ta lënë atë me kusht ishte një ‘konsiderim margjinal’.

Obligacioni ishte 25 herë më i madh se ai i ofruar Bernie Madoff, autori i skemës më famëkeqe ‘Ponzi’ në historinë e SHBA-së, në vitin 2008.

Nën kushtet e lirimit me kusht, Bankman-Fried iu kërkua të dorëzonte pasaportën e tij dhe të qëndronte në izolim në shtëpinë e prindërve të tij, të cilët janë të dy profesorë të drejtësisë në Universitetin Stanford.

Ai gjithashtu duhet t’i nënshtrohet trajtimit dhe vlerësimit të shëndetit mendor. Ai thuhet se lejohet të largohet nga arresti shtëpiak vetëm për ushtrime fizike dhe për trajtimin e shëndetit mendor dhe abuzimit me substancat.

Bankman-Fried pritet të kthehet në Nju Jork më 3 janar për një seancë paragjyqësore në të cilën ai do përballet me akuzat. Dy nga bashkëpunëtorët e tij kryesorë të FTX, Caroline Ellison dhe Gary Wang, u deklaruan fajtorë për akuzat penale dhe ranë dakord të bashkëpunojnë me hetimin federal të kolapsit të kompanisë.