Vendosni fjalën kyçe....

“Ta lash gojën 100 herë para se t’i përmendësh emrin kampionit” – Debate në Kuvend për kandidaturën e Ardian Dvoranit


Kuvendi është mbledhur sot pasdite në seancë plenare ku në rend të ditës janë disa vendime dhe projektligje të rëndësishme, mes të cilave edhe projektvendimi për emërimin e një anëtarët të Gjykatës Kushtetuese.

Që në nisje të seancës, deputeti i PD-së Oerd Bylykbashi kundërshtoi kandidaturën e Ardian Dvoranit për t’u bërë pjesë e trupës gjykuese të Gjykatës Kushtetuese.

“Sillni sot në votim një kandidat për në Gjykatën Kushtetuese, i cili, jo rastësisht juve në vitin 2016 kur kaluat ndryshimet në ligjin për Gjykatën Kushtetuese, është i vetmi ligj ku latë bosh filtrat që pengojnë personat të cilët kanë kryer, kanë qenë jo bashkëpunëtorë, por arma e drejtpërdrejtë e Komunizmit në atë kohë, ku përfshiheshin gjyqtarët, prokurorët dhe hetuesit. Është një kandidat i cili ka qenë prokuror dhe ka kërkuar dënim për ata të cilët u ngritën kundër komunizmit në Shkodër, por gjithashtu një kandidat i cili është gjithashtu me vendim gjykate në shkelje të Kushtetutës. Ka qendëruar në mënyrë ‘kampion’ në shkelje të Kushtetutës në dy mandate, praktikisht në dhunim të asaj që ishte norma kushtetuese si gjyqtar në Gjykatën e Lartë. Gjithashtu është gjetur në shkelje të GJK dhe kandidon në GJK edhe me veprimet e tij në krye të KED-së.

Ia kam thënë që atë ditë kryeministrit, kë po bëni gati për në GJK, i cili nuk mund të jetë në atë trupë që e ka nisur karrierën e tij duke ndëshkuar ata që kërkonin liri dhe demokraci në Shqipëri.”- tha Bylykbashi.

Por kreu i grupit parlamentar të PS-së Taulant Balla mori fjalën duke e kritikuar kolegun e opozitës për ato çfarë tha.

“Shërbëtori parafolës i sekretarit të partisë dhe i nongratës duhet ta lajë gojën 100 herë para se ti zërë emrin një herë Kampionit të luftës së korrupsionit të shpallur nga Sekretari Amerikan I Shtetit, Anthony Blinken. Meqë e përmendët fjalën ‘kampion’, po është e vërtetë që Dvorani është kampion në luftën kundër korrupsionit dhe më vjen keq, po aq edhe mirë që foltorja në kuadër të marrëveshjes me partinë e lekëve dhe të parave, e ka kusht ta sulmojë një gjyqtar të ndershëm si Ardian Dvorani. Por zonja kryetare është joetike, që në fillim të seancës, ku ende s’kemi shkuar tek ajo çështje dhe prandaj mendoj që do ta respektojmë rregulloren, të vlerësojmë të gjitha kandidaturat dhe sulmet personale, më së shumti nga shërbëtorët e nongratave, e sekretarët e partisë në emër të luftës së atëhershme të klasave, kjo nuk i bën mirë shëndetit të punës parlamentare.”- tha Balla.