Vendosni fjalën kyçe....

Nisja e punimeve për Teatrin e Ri/ Belind Këlliçi: Kreu i SPAK-ut ta nisë detyrën me hetimin e kësaj afere


Aktivistë të Aleancës për Mbrojtjen e Teatrit janë mbledhur mbrëmjen e sotme në sheshin ku ndodhej Teatri Kombëtar i shembur në 17 maj 2020, pas njoftimit nga Bashkia e Tiranës se do të nisnin punimet për ndërtimin e Teatrit të ri.

Protestës iu bashkuan edhe kandidati i opozitës për bashkinë e Tiranës, Belind Këlliçi dhe avokatja Adriana Kalaja.

Në një prononcim për mediet, Këlliçi i bëri thirrje kreut të ri të SPAK-ut Altin Dumani, që t’i japë fund paligjshmërisë dhe të hetojnë ngjarjen.

“Ne kemi patur një mbledhje të Këshillit Kombëtar të PD. Jam këtu si kandidat zyrtar i opozitës, por edhe si anëtar i Këshillit Kombëtar dhe deputet i PD. Mbështes kauzën e Aleancës për Mbrojtjen e Teatrit, për të ndërtuar Teatrin kështu siç ishte. Këtu ku jemi ka një vendim të Gjykatës Kushtetuese ku ka anuluar transferimin e pronës nga Ministria e Kulturës te Bashkia e Tiranës. Dhe ka një kallëzim në SPAK.

Veliaj po zhduk çdo gjë nga memoria historike e qytetit të Tiranës. Kjo nuk është kauzë politike, por qytetare. Teatri ka qenë pasuri, memoria e qytetit është pasuri për të gjithë qytetarët pa dallime politike. Qytetarët meritojnë Teatrin ashtu siç ishte. Nesër në orën 10.00 ftoj qytetarët të mbështesin Aleancën në këtë shesh. Aleanca ka protestuar për 5 vite dhe nuk ka thyer një xham. Këtu në këtë perimertër janë arrestuar përdhunshëm artistët. Janë marrë me dhunë dhe çuar nëpër komisariate sepse po protestonin për një kauzë të drejtë. Le të jetë kjo një nga detyrat e para të drejtuesit të ri të SPAK që t’i japë fund paligjmërisë dhe të vijnë të hetojnë këtë aferë që është një nga aferat më të shëmtuara dhe më korruptive që ka parë vendi ynë.”- tha Këlliçi.