Vendosni fjalën kyçe....

Berisha: Ambasadorja Yuri Kim mban peng me dosje kryeministrin


Kryetari i PD-së Sali Berisha ka sulmuar ambasadoren e SHBA-ve në vendin tonë, Yuri Kim. Sipas tij, kjo e fundit po përpiqet të mbrojë dështimin e Reformës në Drejtësi. Sipas tij, ambasadorja Kim mban peng me dosje kreun e qeverisë, Edi Ramën.

“Çfarë qëndron në themelin e betejës së Yuri Kim? Unë ju ftoj të lexoni, nuk gjeni sot në planet një vend të dytë, dhe unë kam bërë kërkime, nuk gjendet një vend të dytë ku një ambasadore të sillet siç sillet guvernatorja në Tiranë. Çfarë kujtoni se mbron ajo? Mbron në minumim dështimin e reformës së Sorosit në Shqipëri. Por mundet edhe më shumë. Ajo mbron mashtrimet që i ka bërë shefave të vet, ajo mbron veten sepse ka përdorur korrupsionin për të luftuar antikorrupsionin në Shqipëri.

Ndaj dhe ajo nuk njeh kufi, ndaj edhe sillet. Po pse sillet në këtë mënyrë? Sepse e ka peng me dosjen Edi Rama. Nuk ndodh kurrë në botë kjo. Nuk kam lexuar kurrë që në mënyrë kaq të paskrupullt, kaq jodinjitoze, kaq fyese për një popull dhe vend sovran, të sillet një përfaqësuese e vendit që konsiderohet partneri strategjik më i rëndësishëm.”– tha Berisha.

Kryedemokrati tha se diplomatja amerikane me aktet e veta e ka dëmtuar më shumë se kurrë reputacionin e vendit të saj te shqiptarët.

“Çfarë mbron kjo? Interesat më obskure të vetat.

Nuk kam asnjë problem këtu me ndërzimin e SPAK-ut kundër meje. Aq sa kanë gjetur në një vit e gjysmë do gjejmë edhe në njëqind vite të tjera. Por një vend sovran është një vend sovran.

Reforma është e diskredituar dhe e damkosur, dhe nuk e mbrojnë atë që janë faktorë të diskreditimit. Ajo mendon se duke përfaqësuar vendin e madh të lirive, mund t’u thotë shqiptarëve, fluturon-fluturon, por ajo e ka dëmtuar më shumë se kurrë reputacionin e vendit të saj te shqiptarët. Një sondazh tregon se vetëm 0.8 përqind e vlerësojnë si shumë të mirë reformën e Sorosit.

Për të mos thënë pastaj, se reforma shqiptarëve u bëri gjëmën, i la pa proces të drejtë gjyqësor. U duhet të presin 10 deri në 20 vite për një vendim. Dhe SPAK-i vidhiset nga polli në poll, në shkallaren e turpit të korrupsionit. Nuk ka më tani pazare të lehtë, ai që ka kaluar vetingun nuk pyet më as për zotin, nuk ka zot ai.

100 mijë dosje, shkatërrimi përfundimtar i reformës. Në mënyrën më korruptive është firmosur marrëveshja me ndërmjetësimin e zonjës që flet për korrupsion mes Delina Ficos dhe Gjykatës së Lartë, për të futur ndihmesa balilat e PS-së nga grupi i juristëve Qemal Stafa, në shkelje të Kushtetutës. Unë kam mirënjohje të pakufishme për USAID-in, por u shpreh keqardhje më të madhe për aktin e tij, për prokurimin e Delina Ficos dhe bandës së saj për të shqyrtuar dosjet e shqiptarëve në kundërshtim me ligjet.”– shtoi Berisha.