Vendosni fjalën kyçe....

FIFA hedh poshtë kërkesën e Zelenskyt, kërkoi të jepte një ‘mesazh paqeje’ para finales së Botërorit – CNN


FIFA ka kundërshtuar kërkesën e presidentit ukrainas Vladimir Zelensky për t’u paraqitur përmes videolidhjes përpara finales së Kupës së Botës në Katar të dielën, sipas CNN.

Zelensky thuhet se është ofruar të ndajë një mesazh të ‘paqes botërore’ para ndeshjes mes kampionëve në fuqi, Francës dhe Argjentinës në stadiumin ‘Lusail’, ndeshje që pritet të ndiqet nga qindra miliona njerëz në mbarë botën.

CNN raporton se pranimi u hodh poshtë nga FIFA, duke e lënë zyrën e Zelenskyt ‘të befasuar nga përgjigjja negative’.

Bisedimet thuhet se po vijojnë mes FIFA-s e Ukrainës, pavarësisht mospërfilljes së dukshme dhe është e paqartë nëse mesazhi do ishte drejtpërdrejtë apo i regjistruar paraprakisht.

FIFA është detyruar të trajtojë çështjen e shkeljes së politikës ndaj futbollit gjatë gjithë turneut në Katar.

Përpara fillimit, disa skuadra evropiane u zotuan se kapitenët e tyre do mbanin shiritat ‘One Love’ në mbështetje të të drejtave LGBTQ dhe kauzave të tjera.

Ata u detyruan të tërhiqen nën kërcënimin e sanksioneve nga FIFA, e cila njoftoi grupin e saj të mesazheve për turneun.

FIFA u kishte kërkuar skuadrave që të ‘përqendroheshin te futbolli’ në Katar në një letër drejtuar 32 kombeve konkurruese përpara turneut.

Udhëheqësi ukrainas ka bërë edhe mesazhe me video në ngjarje të tilla si çmimet Grammy në SHBA.