Vendosni fjalën kyçe....

Përgjimet e shefes së grupit parlamentar të VV-së Kusari Lila me deputetin e Listës Serbe, çfarë ka ndodhur deri tani në rend kronologjik


Majtas, shefja e grupit parlamentar të VV Mimoza Kusari Lila, djathtas deputeti i Listës Serbe Slavko Simiç, në mes Milan Radojiçiç

Dje e sot portali Nacionale publikoi pjesën e parë dhe të dytë të një regjistrimit të bisedës së kryetares së grupit parlamentar të Vetëvendosjes Mimoza Kusari Lila e deputetit të Listës Serbe, Slavko Simiç.

Incizimet në fjalë janë bërë qershorin e shkuar ndërsa takimi mes të dye ka ndodhur në zyrën e Kusari Lilës.

Në to përmendet emri i Milan Radojiçiçit, person në listën e zezë të SHBA-së dhe i akuzuar si organizatori i trazirave në veri të Kosovës së fundmi.

Kusari Lila pranon përgjimin

Vetë Kusari Lila pranoi për median në Kosovë ditën e djeshme se zëri që del në incizim është i saji ndërsa theksoi se përgjimi është bërë pa dijeninë e saj, sipas të gjitha gjasave nga deputeti serb Simiç.

“Po është zëri im ai që dëgjohet në përgjimin e paautorizuar si duket nga Slavko Simiq në vitin e kaluar, kur ka ndodhur ajo bisedë në zyrën time në Kuvendin e Kosovës.” – theksoi ajo.

Në hyrje të bisedës mes të dyve, Simiç i përmend Kusari Lilës një bisedë që ajo ka bërë me Milan Radojiçiçin, person në listën e zezë të SHBA-së dhe i dyshuar për vrasjen e Oliver Ivanoviçit dhe dhe i dyshuar për rastin ‘Brezovica’.

Kusari Lila pranon se ka biseduar me Milan Radojiçiçin

Në atë moment, Kusari-Lila ndërhyn duke i thënë ‘2-3 minuta’. Pra, duke pretenduar se nuk ka biseduar me Radojiçiçin 30-40 minuta, por 3-4 minuta, raporton Nacionale.

“Në situatën këta në secilin problem që e kanë mundohen me e sjell Radojçiqin me ia ngritë atij pazarin. Ndodhë kjo çka ka ndodhë. Edhe tash në momentin kur ai flet edhe thotë që ‘është e vështire për mua’ dhe unë i them që këto janë situata dhe rrethanat që janë kriju dhe tjerët se ku di unë, se ata munden me lshu dhe nuk është as po më bën përshtypje. Milan Radojçiqin mundet me qenë i burgosur, mundet me qenë i dënuar dhe në momentin që të thotë kjo është fjala që po du me ta thënë, ti e dëgjon. Unë ia kamë kthyer përgjigjen në gjuhën shqipe ne atë që ai ka fol.” – tha dje Kusari Lila për RTV Dukagjini.

Kusari Lila mohon se kryeministri Kurti ka qenë në dijeni

E pyetur nëse kryeministri Kurti ka qenë në dijeni të bisedës së saj dhe rreth rrethanave të diskutimit Kusari Lila tha se kreu i qeverisë nuk e ka ditur pasi nuk ka qenë diçka e përgatitur.

“Jo, s’ka qenë, sepse s’është diçka e përgatitur, është diçka me të cilën jam përballë kur ka qenë në zyrë Simiqi. Unë ja kam spjeguar të gjitha rrethanat e diskutimeve Kurtit, Kryeministri më ka dëgjuar, mi ka bërë edhe disa pyetje shtesë dhe nuk e ka kërkuar dorëheqjen time. Pyetjet e tij kishin të bënin për përmbajtjen e bisedës dhe natyrisht komentet që janë dhënë.” – ka thënë Kusari-Lila.

Shefja e grupit parlamentar të VV, Mimoza Kusari Lila

Reagimet kritike ndaj Kusari Lilës e Albin Kurtit

Publikimi i përgjimeve ka sjellë reagime pro e kundër qeverisë dhe kryeministrit Albin Kurti këtej e andej kufirit.

Mero Baze: Albin Kurti ‘patriot me leje të serbëve’

Mero Baze, një kritik i fortë i kryeministrit të Kosovës Albin Kurti, sidomos për përplasjes së fundit të tij me SHBA-në e BE-në për tensionet në veri të vendit e ka quajtur atë ‘patriot me leje të serbëve’.

Në një editorial në Gazeta Tema ai shkruan se çështja e përgjimi të Kusarit Lilës me deputetin e Listës Serbe bëhet edhe më skandaloze teksa për tensionet në veri akuzohe si organizator Milan Radojiçiç, emri i të cilit del në përgjimi e fundit të Kusari Lilës.

Sipas Bazes, audiopërgjimi nxjerr disa anë të errëta të qeverisë së Albin Kurtit.

“Audioregjistrimi nxjerr disa anë të errta të qeverisë së Albin Kurtit. Së pari, nxjerr faktin që Albin Kurti, i cili nuk pranon të veprojë në koordinim me SHBA dhe Bashkimin Evropian për gjëndjen në Veri, koordinohet dhe bashkëpunon me ata që i quan “kriminelë” dhe kundërshtarë të tij. Pra vërtetohet katërcipërisht teza se Albin Kurti dhe njerëzit e Vuçiqit, janë një gjatësi vale për ngjarjet në Veri, pasi duan ta përdorin Veriun për nevojat e tyre politike. Së dyti, audioregjistrimi tregon se qeveria Kurti e ka tërësisht demagogji atë që e quan qëndrim parimor ndaj organizatave të serbëve në Veri, pasi praktikisht ajo është e zhytur në pazare me to, për të krijuar një fabulë destabilizimi përmes të cilës, sipas teorive ideologjike të Kurtit, ai do të mund të mbijetojë si “patriot” në pushtet. Së treti, çka është dhe më serioze, audiopërgjimi tregon pse Albin Kurti bën si i fortë me serbët në Veri, dhe plagosen vetëm ushtarë të KFOR, pasi është në marrëveshje me krahun radikal serb, për të destabilizuar rajonin dhe për ta vendosur nën pushtetin e ndërkombëtarëve, me qëllim që të vetëshpallet viktimë e ndërhyrjes perëndimore, duke shpëtuar dhe veten, dhe Vuçiqin, nga përgjegjësia për Veriun e Kosovës. Me pak fjalë videopërgjimi dëshmon se Albin Kurti, është një “patriot” me leje të serbëve, duke bërë pazar me krahun më radikal të tyre, për gjithë atë çfarë po ndodh në Veri.” – shkruan Baze.

Në fund Baze shkruan se Kurti është koordinuar me serbët që të dyja palët të dalin të fituara në kurriz të Kosovës.

Ambasadori amerikan Hovenier

Ambasadori amerikan: Radojiçiç i sanksionuar nga SHBA-ja

Ambasadori amerikan në Kosovë Hovenier ka komentuar përgjimin duke thënë se Milan Radojiçiç është i sanksionuar nga SHBA-ja.

“Nuk mund të flas shumë për këtë. Mund të them vetëm se shpeshherë liderët politikë në parlament kanë biseda të rëndësishme me akterët e opozitës për të arritur rezultate. Kaq mund të them. Sa i përket Radoiçiqit dua të përsëris se ndonjëherë duket se ka një keqkuptim se çfarë do të thotë të caktohesh nga Thesari i Shteteve të Bashkuara, dhe ne kemi një deklaratë publike nga Thesari i Shteteve të Bashkuara që thotë se ky individ është dikush që i nënshtrohet sanksioneve të Shteteve të Bashkuara si rezultat i konstatimit tonë se ai është i lidhur me krimin e organizuar transnacional.”

Politologu nga Kosova Avdi Smajljaj ka shkruar se përgjimi ka nxjerr fytyrën e vërtetë të VV-së.

“Përgjimet na tregojnë, ndër të tjera, se demonizimet, kualifikimet si tradhtar, bashkëpunëtor i Serbisë, përfshi epitetin aktual si bashkëpunëtor të Vuçiçit ndaj atyre që mendojnë ndryshe me pushtetin, janë thjeshtë etiketime elektorale, mashtrime të qytetarëve për t’ua marrë votat, që e dëmtojnë demokracinë, pluralizmin, dhe konkurencën e shëndetshme në mes partive. Pra, etiketimeve të tilla, sidomos kur ato bëhen nga partitë politike nuk duhet besuar fare. Në përgjithësi, sjelljet e tilla polarizuese e dëmtojnë rëndë besimin e qytetarëve ndaj partive politike, demokracisë, dhe ndaj institucioneve. Nuk besoj se nga sot e tutje ka dikush që ende u beson etiketimeve të tilla.” – ka thënë shkruar Smajljaj.

Në të njëjtën linjë qëndrimi ka qenë edhe politologu Agon Maliqi, i cili theksoi se akuzat e partisë në pushtet ndaj partive tjera në lidhje me Listën Serbe kanë qenë populiste. Ai ka deklaruar se e meta e populizimit është se ‘pështyma që hedh lart të kthehet në fytyrë’.

“Mirë është që liderët të kenë linja kontakti me këdo që ka ndikim për të zgjidhur probleme. Edhe në kohë lufte mbahen linja komunikimi me armiqtë e me djallin, e lëre më në kohë paqeje. Ukrainasit ishin në tavolinë me rusët teksa masakroheshin qytetet e tyre. Kontaktet dhe marrëveshjet nuk janë mëkat. Ato ndihmojnë në leximin e kundërshtarit, shmangjen e keqkuptimeve, dhe arritjen e synimeve. Shumë prej defekteve të qeverisë sonë madje mund të ishin shmangur sikur të kishin më shumë komunikim. Ajo që megjithatë përbën problem është ‘standardi puritan’ dhe qasja sanitare të cilën pushteti i tanishëm e ka vendosur për kontaktin si diçka tinëzare, mëkat, apo terren i tradhëtisë. Popullizmi e ka këtë të metë: pështyma dikur të kthehet në fytyrë.” – ka shkruar Maliqi.

Reagom kritik nda Kusari Lilës ka pasur edhe deputetja e PDK-së, Blerta Deliu-Kodra.

Në një reagim në Facebook, Deliu-Kodra ka shkruare se: “5 herë nga 2-3 minuta. S’ka dert që Milani s’është i pastër për Amerikë, me rëndësi për Vetëvendosjen po.  Ani, çka po bëjmë të mërkurën? Ah, Mimozë, Mimozë!”.

Reagimet pro

Përtej qëndrimeve kritike ka pasur edhe qëndrime në mbrojtje të kryeministrit Kurti dhe deputetes Mimoza Kusari Lila. Profesori Hysamedin Feraj shkruan në bisedën e kryetares së grupit parlamentar Kusari Lila me deputetin serb nuk ka as amnistri, as nuk janë dhënë leje për gurore, një mesazh për kryeministrin Rama.

“Deri tani:

Mimoza Kusari  1

Berat Buzhala    0

Lista serbe         0

Në bisedimet me LVV “radojçiqët” nuk fituan as amnisti, as “gurore”, as “laboratorë”, as pjesëmarrje në krye të qeverisë, as kontroll të institucioneve qendrore të Kosovës, as kontroll mbi individët udhëheqës, si dikur. Prandaj zgjodhën “rrugën e tretë”: braktisjen e institucioneve dhe ecjen me “ritmin e rrugës”.

Mbas përfundimit të ndeshjes është e lehtë të kuptohet rezultati dhe loja. Të shohim çka po sjellë ndeshja e ardhme.” – shkruan Feraj.

Pjesë nga biseda e incizuar mes Kusari Lilës e deputetit të Listës Serbe Simiç

Slavko: Ti e din që unë të kam lidhë me Millanin, keni bisedu ka 30-40 minuta për me gjetë ndonjë zgjidhje.

Mimoza: Dy tre minuta.

Slavko: Një herë keni bisedu gjatë, ku keni bisedu për energjinë në veri, a e mban mend. Kemi provu me gjetë zgjedhje edhe me ndërtu një raporto partnerësh dhe çfarë ndodhi, njeri që marrim direkt instruksione, që e ka një diapazon të gjanë për secilin prej nesh, pa të cilin nuk mund të bëjmë asgjë… disa vendime që i marrim bashkë me të, nuk mundet me ndiku as Vuçiqi.

Mimoza: E kush është kryesori, Rakiq apo?

Slavko: Milani bre është kryesori, po çfarë Rakiqi, i cili është veç kryetar i Listës Serbe dhe anëtar i Qeverisë, ama kur të vjen puna për me marrë vendime, për këtë sene nuk ka nevojë as me më pyet sepse t’i kam shpejgu kur kemi bisedu…Njeriu nuk e ka meritu aspak tretmanin që i është bërë, duke e futë në listën e ndalimit.

Mimoza: Pse po më thua mua?

Slavko: Ti mu më ke thënë, ti mu më ke thënë që ki me folë me kryeministrin edhe që kryeministri ka me shiku se për çka bëhet fjalë, që ka me folë edhe me ministren e Drejtësisë edhe me ministrin e Punëve të Brendshme, a është qishtu? Pastaj kur e kemi pasë situatën me zgjedhjet, vetëm po të kthej pak në retrospektivë.. edhe ti e ki pamjen e gjanë, asnjë palë zgjedhje nuk kishin me u ba në veri të vendit, mos t’ish kanë Millani edhe heqja e barrikadave, ai nuk është aspak person destruktiv për Kosovën…Ti e din që prej fillimit që e kemi pasë një raport partnerësh…, e tash ti mu po më pyet për këtë ligj kur na kena probleme më të mëdhaja.

Mimoza: E di Slavko, e di, ama tash krejt këto pika që janë në agjendë e ato nuk mund të hjekën nëse ne nuk votojmë ashtu siç kemi folë ose nëse qeveria nuk tërhiqet…”