Vendosni fjalën kyçe....

Kim takohet me Ramën: Dënojmë sulmet ndaj institucioneve në veri të Kosovës


Ambasadorja e SHBA-ve Yuri Kim zhvilloi një takim me kryeministrin Rama ditën e sotme me fokus rishikimin e arritjeve në marrëdhëniet SHBA-Shqipëri në vitin 2022 si dhe për të diskutuar mënyrat për të vazhduar forcimin e bashkëpunimit në demokraci, mbrojtje dhe biznes në vitin 2023, njofton Ambasada.

Ambasadorja Kim ka shprehur vlerësimin e SHBA-ve për lidershipin dhe kontributin e Shqipërisë gjatë vitit të parë në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara. Sipas Kim, roli i Shqipërisë në Këshillin e Sigurimit të OKB-së ka qenë kritik për çështje të rëndësishme globale, duke përfshirë mbështetjen e Ukrainës përballë pushtimit të Rusisë.

SHBA-të dhe Shqipëria kanë dënuar të gjitha sulmet ndaj agjencive të sigurisë së Kosovës dhe ato ndërkombëtare dhe kërcënimet me dhunë dhe frikësim, dhe kanë shprehur mbështetjen e plotë për KFOR-in dhe EULEX-in. SHBA-të dhe Shqipëria u kanë kërkuar palëve të punojnë në kuadër të Dialogut të lehtësuar nga BE për të zgjidhur çështjet shqetësuese.

Ata diskutuan mënyrat për të ndërtuar mbi arritjet historike në marrëdhëniet e mbrojtjes SHBA-Shqipëri, duke përfshirë aftësitë ushtarake dhe kontributet në rritje të Shqipërisë si një aleate e NATO-s.

Kim rikonfirmoi mbështetjen e fortë të SHBA-së për Shqipërinë përballë sulmeve kibernetike të Iranit.

Ambasadorja Kim i shprehu urimet e ngrohta Kryeministrit për pritjen e suksesshme nga Shqipëria të Samitit historik BE-Ballkani Perëndimor në Tiranë, duke theksuar se është hera e parë që një samit i tillë zhvillohet jashtë Brukselit. Ajo përsëriti se Shtetet e Bashkuara mbështesin me vendosmëri integrimin e plotë europian të Shqipërisë si anëtare e BE-së. Në këtë kuadër u diskutua për arritjet, por edhe sfidat në zbatimin e reformës në drejtësi në Shqipëri. Ata ranë dakord se është thelbësore që institucionet e drejtësisë në Shqipëri të jenë të pavarura dhe të patrembura në ekzekutimin e detyrave dhe përgjegjësive të tyre.

Ambasadorja Kim dhe kryeministri Rama pohuan se ndërsa mbyllim një vit që shënon 100 vjet nga vendosja origjinale e marrëdhënieve SHBA-Shqipëri, partneriteti ynë është më i fortë se kurrë”-thuhet në deklaratën e Ambasadës.