Vendosni fjalën kyçe....

Banorët e Levanit në protestë: Na ikin dritat një herë në 24-orë dhe s’vijnë deri ditën tjetër


Banorët në Levan të Fierit kanë dalë sot të protestojnë për shkak të ndërprerjeve të vazhdueshme të energjisë elektrike. Një situatë që sipas tyre vazhdon prej 10 vitesh.

“Një ndër hallet më të mëdha midis atyre të tjerave është problemi i tensionit të zonës, gjë që ka probleme prej më tepër se 10 vjet dhe askush nuk e ka vënë ujin në zjarr për këtë problem. Sot ka arritur kulmi. Kur një herë në 24 orë ikin dritat dhe rrinë 24 orë të plota pa ardhur. O të bllokojmë rrugën, ose të bashkohemi me të gjithë shqiptarët.“- tha një prej protestuesve.

Një tjetër tha se po mendon largimin nga vendi në rast se problemi nuk zgjidhet: “Ikën parmbrëmë në orën 7, kanë ardhur dje në orën 3 pasdite. Dhe tensionin nuk e kemi të fuqishëm. Të organizohemi o vlla se nuk vazhdohet kështu. Ose do t’i shesim edhe ne (pronat) dhe të ikim siç kanë ikur të tjerët.”

Probleme të tilla me energjinë elektrike hasin 10 fshatra të njësisë administrative Levan. Situata bëhet problematike edhe më tepër në stinën e dimrit.

Protestuesit u takuan me Prefektin e Fierit Lefter Shehaj, por kanë dalë mosbesues nga ky takim.