Vendosni fjalën kyçe....

Kurti i kundërpërgjigjet Vuçiçit: Kosovën do ta mbrojmë me vendosmëri dhe forcë


Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, I është përgjigjur presidentit serb Aleksandar Vuçiç duke thënë se vendi i tij nuk kërkon konflikt por paqe dhe dialog.

Megjithatë ai thekson se Kosova do ta mbrojë territorin e saj me vendosmëri dhe forcë.

“Presidenti dhe kryeministrja e Serbisë kanë kërcënuar edhe me agresion ushtarak, duke kërkuar që ushtria serbe të kthehet në territorin tonë. Ne nuk kërkojmë konflikt, por dialog dhe paqe. Por më lejoni të jem i qartë: Republika e Kosovës do të mbrohet me vendosmëri dhe forcë.”– ka shkruar Kurti.

Në një postim të dytë, ai shton: “Me zgjidhjen e çështjes së targave dhe vonesën e zgjedhjeve, bandave kriminale në veri të Kosovës u mungon edhe preteksti më i dobët për barrikada dhe sulme të dhunshme ndaj Policisë së Kosovës. Në bashkëpunim me KFOR e NATO-n, ne po punojmë për të adresuar situatën shpejt dhe në mënyrë paqësore.”

Kjo deklaratë e Kurtit vjen pas kërkesës së Vuçiçit për vendosjen e një numri trupash të ushtrisë dhe policisë serbe në Kosovë.

Vuçiç tha të shtunën se Serbia do t’u kërkojë forcave paqeruajtëse të NATO-s që ta lejojnë vendosjen e një numri trupash të ushtrisë dhe policisë serbe në Kosovë.