Vendosni fjalën kyçe....

Albin Kurti: Serbia po kërkon të vazhdojë luftën që e humbi, kërcënon me rikthimin e forcave që kryen gjenocid në Kosovë


Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka dalë në një konferencë për mediet pas mbledhjes së jashtëzakonshme të Këshillit të Sigurisë.

Gjatë fjalës së tij, Kurti është shprehur se Serbia po kërcënon sërish me luftë.

“Ajo që ne e dinim prej kohësh u sipërfaqe në mënyrën më të egër të mundshme. Pas 23 viteve nga përfundimi i luftës, Serbia kërcënon sërish me luftë dhe me rikthimin e forcave të tyre ushtarake të cilat kanë kryer gjenocid në Kosovë.”- tha Kurti.

Ai shtoi se Beogradi sot po flet e sillet si para 23 viteve dhe udhëhiqet me një kastë të njëjtë politikanësh.

“Serbia nuk po e fsheh që kërkon të vazhdojë luftën që e humbi. Kjo përbën kërcënim të vazhdueshëm për shtetin tonë dhe paqen në vendin tonë.”– ka shtuar Kurti.

Kryeministri ka shtuar se në veri të vendit paqja mbeti përherë e brishtë, ndërsa ka kritikuar Qeveritë e kaluara, duke thënë se në të kaluarën bënin marrëveshje me “kriminelë si Radoiçiçi dhe Veselenoviçi”.

“Me kriminelë si Radocici dhe Veselenivoci bëhej marrëveshje edhe për të formuar Qeverinë e Kosovës, edhe për të blerë qetësi në veri të vendit, ku pasi kishin nënshkruar se Forca e Sigurisë së Kosovës nuk do të dërgohej atje, tolerohej kontrabanda, zgjedhjet e Serbisë, dinari serb, targat ilegale të Serbisë, mospagesa e taksave as lokale e as qendrore, mospagesa e furnizimin me ujë e energji. Kjo përbën mosushtrim të obligimeve kushtetuese dhe detyrimeve ligjore, andaj një situatë e tillë padyshim që është e papranueshme për një shtet demokratik, evropian e prosperues sic është Republika e Kosovës, ku sundimi i ligjit është i padiskutueshëm.”- ka deklaruar Kurti.

Kryeministri bëri edhe një ftesë për serbët e Kosovës: “Unë i ftoj të gjithë serbët në Kosovë që të punojnë bashkë me neve, të jetojnë bashkë me neve, të kuvendojnë bashkë me neve, të qeverisin bashkë me neve. Serbia dëshiron kthim në kohën e luftës kur ka kryer masakra e gjenocid në Kosovë. Ne dëshirojmë të ardhme demokratike, prosperuese e evropiane.”