Vendosni fjalën kyçe....

Sulmohet me mjete shpërthyese ekipi i RTV Dukagjini në Kosovë (Video)


Gjendja në veri të Kosovës vijon të jetë e tensionuar. Ekipi i gazetarëve të RTV Dukagjini është sulmuar gjhatë raportimit me mjete shpërthyese nga persona të panjohur.

Në videon e publikuar nga media shihet një mjet që shpërthen shumë pranë gazetares së RTV Dukagjinit. Më herët Policia e Kosovës njoftoi se grupe kriminale e kishin sulmuar me armë zjarri në tre raste gjatë patrullimit në rrugën që të çon në pikën kufitare të Bërnjakut.

Serbët lokalë kanë bllokuar rrugët në veri të Kosovës, pasi Policia e Kosovës arrestoi një ish-polic serb, sipas dëshmive të Policisë së Kosovës dyshohet se ai ka organizuar sulmin terrorist në zyrat e KKZ-së në Veri të Mitrovicës.

Më herët presidenti serb Vuçiç tha se do i kërkojë KFOR-it të lejojë vendosjen e ushtrisë e policisë serbe në Kosovë.

Deklarata e Vuçiç vjen pas tensioneve të ditëve të fundit në veri të Kosovës. Pak ditë më parë atje ndodhën disa shpërthime ndërsa sot serbët bllokuan rrugët duke vendosur barrikada.

Më herët Policia e Kosovës  arrestoi ish-efektivin e saj serb Dejan Pantiç, pasi akuzohet se ka lidhje me shpërthime në veri.

Pas tensionimit të gjendjes, presidentja Osmani mblodhi në një takim të jashtëzakonshëm krerët e partive politike, ku u vendos shtyrja e zgjedhjeve në veri për në 23 prill 2023. Osmani akuzoi ‘bandat kriminale’ në veri se marrin urdhra nga presidenti serb Vuçiç dhe se kërkojnë destabilizimin e vendit.